Valentina Madani – Parlamenti i Shqipërisë do të nisë sot punimet për legjislaturën e Xtë për 140 deputetët e zgjedhur në 25 prill. Në seancën e sotme pritet që të betohen të gjithë deputetët, si dhe kryetarja e re e Kuvendit, Lindita Nikolla. Në sallën e seancave plenare u bënë dje përgatitjet e fundit për mbledhjen e parlamentit të ri, i cili sërish do t’i zhvillojë punimet duke respektuar rregullat anticovid. Seanca e parë që do të ketë karakter ceremonial do të mbahet në orën 10:00, po ashtu është parashikuar që të zhvillohet dhe një seancë tjetër në orën 17:00. Ajo do të drejtohet nga Luljeta Bozo si deputetja më e vjetër dhe në këtë mbledhje do të ngrihet komisioni i verifikimit të mandateve.
KONSTITUIMI
Pas hapjes së seancës nga Luljeta Bozo do të nisë procedura e konstituimit të Kuvendit të Shqipërisë. Gjithçka bazohet në kreun 1 të rregullores së Kuvendit, ku procedura nis me ngritjen e një Komisioni të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, i cili përbëhet nga 9 deputetë. Ky Komision shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Por duket se kjo kohë këtij komisioni i është ngushtuar, pasi është vendosur që seanca e dytë, ajo në të cilën betohen deputetët dhe zgjidhet kryeparlamentari, të jetë po sot në orën 17:00. Po në bazë të kësaj Rregulloreje, minimumi 15 deputetëve do t’u duhet të propozojnë emrin e kryeparlamentarit, në këtë rast do jetë emri i socialistes Lindita Nikollës. Neni 6, i rregullores së Kuvendit përcakton se kryeparlamentari zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota.
Pas kësaj seance, do të thirret një tjetër seancë e posaçme ku Edi Rama si kryeministër do të paraqesë kabinetin qeveritar por dhe programin qeverisës. Për këtë nuk ka ende një datë, pasi emri i Ramës për kryeministër, është në duart e presidentit Ilir Meta, i cili ende nuk e ka dekretuar si kryeministër. Për këtë Presidenti nuk ka afate kushtetuese, ndërsa emri i ka shkuar në zyrë rreth 5 ditë më parë. Pasdite në orën 17:00 deputetët do të mblidhen sërish për të bërë betimin, duke shënuar kështu zyrtarisht nisjen e ushtrimit të mandatit. Vota e parë që ata do të hedhin është për kandidaturën e Lindita Nikollës në postin e kryetares së Kuvendit. Në Kuvend do të jenë dhe deputetët e opozitës, të cilët mungonin që nga shkurti i vitit 2019 për shkak të djegies së mandateve. Edi Rama pasi të marrë miratimin e parlamentit si kryeministër, do të kërkojë nga deputetët votëbesimin për qeverinë e re dhe programin e ri qeverisës, ndaj është parashikuar që brenda ditës së nesërme të ketë 2 seanca plenare. Nuk dihet se sa do të zgjasë debati parlamentar për këtë çështje tanimë që në parlament rikthehen pas 2 vitesh mungesë deputetët e opozitës demokrate, pasi në 2017 seanca për programin politik dhe kabinetin e ri qeveritar u mbyll pas 22 orësh diskutime. Pas votëbesimit nga parlamenti, qeveria e re pritet të betohet përpara Presidentit Meta, dhe ky do të jetë dhe takimi i parë zyrtar i kryeministrit Rama me presidentin pasi parlamenti në muajin korrik votoi për shkarkimin e Metës nga posti i kreut të shtetit.
Ndërkohë, dita kur parlamenti do të mblidhet për të diskutuar dhe miratuar qeverinë e re do të varet nga momenti kur Presidenti i Republikës, Ilir Meta do të dekretojë Edi Ramën si kryeministrin e Shqipërisë. OPOZITA Në Kuvend do të rikthehet opozita pas bojkotit të gjatë të legjislaturës së kalu ar. Pas 10 shtatorit PD do të përqendrojë energjitë te propozimi i një sërë ndryshimesh ligjore e kushtetuese. Mësohet se draftet paraprake për reformim zgjedhor e territorial, do të nisin të propozohen që në tetor. Një ditë para seancës së parë të legjislaturës së re, Partia Demokratike mblodhi dje kryesinë e Grupit Parlamentar dhe drejtuesit politikë. Në takim ishin të pranishëm kreu i grupit parlamentar, kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare. Kryesia përbëhet nga kreu i grupit parlamentar Alfred Rushaj, nënkryetari Ervin Salianji dhe Luçiano Boçi, zëdhënësja Oriola Pampuri dhe sekretari i Grupit Arbi Agalliu.



