EMISIONI VETTING/ Më 16 dhjetor 2024, drejtoresha aktuale e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, do t’i dhuronte aksionet e veta brenda kompanisë “2D Construction 2025”, ish-”Gea Construction”, ortakes Marsida Dedej, me miratimin e bashkëshortit të saj, Taulant Godroli.
Ky veprim do të ishte nyja e një historie me resort, me leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin nga Këshilli Kombëtar i Territorit, nyje e cila do të na ekspozonte se pas kompanisë mund të jenë sërish drejtoresha e Tatimeve, Lala, me bashkëshortin e saj, Taulant Godroli. Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se drejtoresha e Tatimeve të Tiranës, Erilinda Lala, ka fshehur pasurinë e saj në deklarimin e të ardhurave në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe fshehja e kësaj pasurie mund të ketë ndodhur për të fshehur lidhjet e mëparshme me kompaninë që ka fituar lejen e ndërtimit për resortin në Qerret të Kavajës.
Ky projekt me vlerë rreth 10 milionë euro evidenton një zinxhir shkeljesh ligjore që fillojnë nga KKT-ja dhe pasohen nga Bashkia Kavajë, për të vazhduar me një numër të lartë institucionesh publike. Vetëm 200 metra larg nga bregdeti i Qerretit do të fillonin planet për realizimin në letra, nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Bashkia Kavajë, për të kryer investime së bashku me privatin për ndërtimin e një resorti. Këtu do të fillonin të gjitha problemet, sepse projekti me intensitetin e ndërtimit bie ndesh me Dokumentin e Rishikimit të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Kavajë. Ky dokument përcakton se si do të zhvillohet zona, ku mund të ndërtohet, sa kate lejohen, çfarë zone është për banim, çfarë është për turizëm, për rrugë apo hapësira publike.
Ky rast në vetvete është një model se si projekte të mëdha, me një të rënë të lapsit marrin miratimin, duke shkelur ligjin e pushtetit vendor. Më 8 qershor 2023, në pallatin e kompleksit “Usluga” do të merrte jetë kompania “2D CONSTRUCTION 2025”, ish-”Gea Construction”. Në fakt, ndryshimi i emrit mund të mos jetë bërë për arsye tregtare, por ndoshta për të humbur gjurmët e historisë që fshihet pas saj. Kompleksi lidhet me adresat e kompanive “Alko Impex”, por edhe me kompaninë koncesionare që ka fituar kontratën për pastrimin e Bashkisë Kamëz, “ECOCLEANING”, e cila është në pronësi të “Alko Impex General Construction”, me administrator Arbër Abazin dhe “2T” sh.p.k., në pronësi të Artan Sakos dhe me administrator bashkëshortin e Erilinda Lalas, Taulant Godroli. Kompania do të bashkëthemelohej nga drejtoresha e Drejtorisë Rajonale Tiranë te Tatimet, Erilinda Lala, së bashku me Marsida Dedej, të cilat zotëronin secila nga 50% të aksioneve të kompanisë. Sipas informacioneve publike, në vitin 2023, Erilinda Lala ka qenë e punësuar si avokate në Avokaturën e Shtetit dhe asokohe kompania nuk mund të sillte ndërlikime me pozicionet në administratën publike.
Një nga detajet më të rëndësishme të kompanisë është fakti se në fillim të vitit 2024, “2D CONSTRUCTION 2025”, ish-”Gea Construction”, do të pajisej me licencë për zbatim të punimeve të ndërtimit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, edhe pse kompania sapo ishte krijuar dhe nuk kishte kapital me vlerë të lartë. Në fillim të vitit 2024, Erilinda Lala do të punësohej pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, me drejtues ministrin aktual të Financave, Petrit Malaj. Me lëvizjen e Petrit Malaj si ministër Financash, edhe Erilinda Lala do të kalonte si këshilltare pranë Ministrisë së Financave në shtator 2024, nga ku do të bënte edhe deklaratën e parë fillestare të pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Sipas avokates Margarita Kola, ILDKPKI-ja është kritikuar shpesh dhe ka pasur debate për rolin e këtij institucioni. “Për mua, ILDKPI-ja është një institucion që, më vjen keq ta them, por ha paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe unë nuk di se sa raste ILDKPKIja i ka dërguar pranë prokurorisë ose ua ka referuar institucioneve të tjera përkatëse”, – tha për “Vetting” avokatja Kola.
DEKLARIMET E PASURISË NGA LALA
Deklarata fillestare e Erilinda Lalës do të ekspozonte pronat dhe pasuritë, ku ndër to ishte edhe kompania “2D Construction 2025”, me emrin e mëparshëm “Gea Construction”. Dokumentet e siguruara nga “Vetting” evidentojnë se kompania nuk ka pasur të ardhura dhe të dhënat e publikuara në ILDKPKI ngrenë pikëpyetje për rolin e Inspektoratit. Ky i fundit i ka vendosur në dispozicion “Vetting” formularë që tregojnë se kjo e fundit ka pasur të ardhura, por nuk tregon emrin apo NIPT-in e biznesit. Madje, në formularë gjendet edhe NIPT-i si person fizik, ku gjatë kohës që Lala ka qenë në Avokaturën e Shtetit, ka pasur edhe biznes privat. Duhet theksuar se në modulet e formularëve të ILDKPKI-së, kur një zyrtar bën deklarimin e të ardhurave, te pjesa “EMËRTIMI”, shton edhe se nga kanë ardhur këto të ardhura, si rrogë nga vendi ku ka punuar ose NIPT-in dhe emrin e biznesit ku ka pasur aksione. Problemi më i madh nuk vjen vetëm nga ILDKPKI-ja, por edhe nga deklarimet që ka bërë Erilinda Lala.
Në deklarimin fillestar në këtë institucion, Lala ka deklaruar se brenda disa muajve nga biznesi, se cili biznes kjo nuk tregohet në formular, ajo ka siguruar 2.77 milionë lekë dhe 12 mijë euro, ose totalin e rreth 40 mijë eurove, brenda periudhës korrik-shtator 2023. Pra, një biznes mjaft fitimprurës. Për të verifikuar këto të ardhura, ne kryqëzuam të dhënat me kompaninë ku ajo kishte aksionet gjatë gjithë vitit 2023. Sipas deklarimit, në vitin 2023 kompania “2D Construction 2025” ka deklaruar vetëm 82 mijë lekë shpenzime, duke dalë edhe me humbje. Në vitin 2024 situata ndryshon vetëm në nivelin e shpenzimeve, por jo në të ardhura, pasi kompania sërish deklaron zero të ardhura, ndërsa shpenzimet për personelin rriten në rreth 1.17 milionë lekë në vit, ose afërsisht 97 mijë lekë në muaj, shifër që përkthehet praktikisht në një punonjës të vetëm të deklaruar.
Në total, për vitin 2024 kompania rezulton me humbje rreth 1.18 milionë lekë, duke krijuar profilin e një shoqërie shumë të vogël, pa aktivitet real ndërtimi dhe me staf minimal, pavarësisht se në të njëjtën periudhë rezulton të jetë pajisur me licencë për punime ndërtimi. Pra, eliminohet kjo kompani, por as kompania si person fizik që Lala e ka themeluar në vitin 2022 për shërbime ligjore dhe avokatie dhe është pezulluar në 2024, nuk ka aq të ardhura. Në këtë rast, nga kjo kompani ka siguruar vetëm 5 mijë euro në vitin 2023. Nuk dihet se nga janë siguruar këto para, por ILDKPKI-ja vazhdon të bllokojë të dhëna publike dhe nuk ka marrë asnjë masë administrative ndaj subjektit. Kjo pasi, sipas ligjit për deklarimin e pasurive, kur subjekti deklaron të ardhurat nga një biznes, duhet të paraqesë emrin dhe NIPT-in e biznesit. “Vetting” kontaktoi ILDKPKInë, që drejtohet nga Evgjeni Bashari, për të marrë një koment për arsyet që nuk ishin vendosur të dhënat specifike sipas ligjit dhe e kujt ishte përgjegjësia në këtë rast, e institucionit apo e subjektit që ka bërë deklarimin. Deri në publikimin e këtij materiali, ILDKPKI-ja nuk dha asnjë koment për rastin specifik.
ÇFARË FSHEH ERILINDA LALA?
Historia me kompanitë e fshehura në emër të personave të tretë është një nga refrenet më të përsëritura në aferat e korrupsionit dhe pastrimit të këtyre parave. Në momentin që një zyrtar i lartë ka siguruar të ardhura nga aferat në administratë, problemi nuk është më vepra e korrupsionit, por te fakti se si paratë e siguruara dorazi t’i fusë në sistemin bankar si para të ligjshme. Një nga mënyrat është themelimi i kompanive private, të cilat, pasi i themelojnë, ua kalojnë fiktivisht personave të tretë, që janë zakonisht të afërm ose miq jashtë radarit mediatik. Një nga rastet që ngre dyshime për kalim aksionesh në mënyrë fiktive lidhet me drejtoreshën e Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala.
Në këtë rast, pasi ka themeluar kompaninë në vitin 2023 dhe ka siguruar një licencë për zbatime në punimet e ndërtimit, drejtoresha Erilinda Lala, me miratimin e bashkëshortit Taulant Godroli, në 16 dhjetor 2024 do t’i dhuronte aksionet e veta ortakes së saj Marsida Dedej, aksione me vlerë 100 mijë lekë ose 1 mijë euro. Në fakt, drejtoresha Lala, kur është larguar nga detyra që bën deklarimin e pasurisë, nuk ka deklaruar se ishte aksionere te kompania, por edhe kur është emëruar në krye të Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala ka fshehur dhurimin e aksioneve të kësaj kompanie, duke ngritur dyshime për kalim fiktiv të këtyre aksioneve te Marsida Dedej me kompaninë “2D Construction 2025”.
Sipas avokates Kola, në rastin e dhurimit të aksioneve, një zyrtar që bën deklarimin e pasurisë është i detyruar të paraqesë në deklaratën e pasurisë edhe lëvizjen e aksioneve.
“Është shumë e rëndësishme se kujt ia dhuron, sepse shumica e dhurimeve, ne e dimë, bëhen edhe në mënyrë fiktive, për të fshehur pasurinë”, – u shpreh avokatja Kola. Duke lexuar kushtet e dhurimit, kupton se Erilinda Lala dhe bashkëshorti Taulant Godroli i kanë dhuruar aksionet e kompanisë me vlerë 100 mijë lekë ose 1 mijë euro dhe me licencë në ndërtim. Më 29 shkurt 2024, kompania “2D Construction 2025”, ish-”Gea Construction”, ka siguruar licencë profesionale të punimeve të zbatimit në ndërtim. Kjo është një kategori licencash që i siguron një biznesi të realizojë projekte ndërtimi si resorte, kulla apo edhe komplekse. Nga verifikimet e “Vetting” rezulton se subjekti ka emëruar drejtuesin teknik Armand Arkanxhiun në 2025, ndërkohë që licencën e ka marrë në vitin 2024.
Ka pikëpyetje se si kjo kompani e ka marrë licencën, ndërkohë që nuk ka pasur të deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit se kush ka qenë paraprakisht drejtuesi teknik. Ky i fundit është shumë i rëndësishëm, sepse pa një drejtues teknik të certifikuar, kompania nuk mund të marrë ose të mbajë licencën profesionale për të ushtruar aktivitetin, sipas rregulloreve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Madje, dyshimet për mungesën e inxhinierëve dhe të punonjësve që janë kusht, vijnë nga bilancet financiare të vetë kompanisë. Sipas avokates Margarita Kola, në rastin e mosdeklarimit të aksioneve ndërhyn ILDKPKI-ja, e cila është pikërisht për trajtimin e konfliktit të interesit dhe deklarimin e pasurisë. “Mosdeklarimi është shkelje ligjore dhe nuk ka vend për t’u diskutuar”, – tha avokatja Kola. Bashkëshorti i Erilinda Lalës, “aksioneri” në hije i kompanisë “2D Construction 2025”. Në shtator 2024, Erilinda Lala do të bëhej këshilltare e ministrit të Financave, Petrit Malaj dhe sipas ligjit, duhet të bënte deklarimin fillestar të pasurisë për të ilustruar pasuritë. Më nëntor 2024, Erilinda Lala do të largohej nga ky pozicion për t’iu bashkangjitur kabinetit të drejtorit të Tatimeve. Megjithatë, pas largimit nga ky funksion, drejtoresha e Tatimeve do t’ia dhuronte aksionet e kompanisë “2D Construction 2025”, ish-”Gea Construction”, Marsida Dedej, ku do të firmoste edhe bashkëshorti për miratimin e dhurimit.
Në formularin e dytë për deklarimin e pasurisë pas largimit nga detyra, Lala nuk do të deklaronte se ishte aksionere te kjo kompani, pasi ligjërisht në nëntor 2024 ishte aksionere dhe ligji për deklarimin e pasurisë e kërkon që gjithmonë të bësh deklarimin e aksioneve. Përpos kësaj, më 29 maj 2025, Lala do të kalonte drejtoreshë te Tatimet pa pasur statusin e nëpunësit civil, si drejtoreshë e komanduar. Fshehja e aksioneve, por edhe e dhurimit, gjë të cilën Lala e ka pasur mundësinë që ta rregullonte në maj 2025, pasi mori detyrën te Tatimet, duke u mjaftuar me një gjobë, ngre dyshime. Pse do të fshihte pronësinë te kjo kompani drejtoresha e Tatimeve? Sipas avokates Kola, aty duhet të ketë pasur një konflikt shumë të madh interesi, që nuk është bërë deklarimi. “Mendoj që është i qëllimshëm mosdeklarimi”, – tha avokatja për rastin në fjalë. Nga dokumentet e siguruara prej “Vetting” rezulton se kompania “2D Construction 2025” ka marrë leje ndërtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), me vendimin nr. 16, datë 23.07.2025, për objektin në Qerret, për një kompleks me godina banimi, shërbim dhe hotel me 3, 8, 10, 12 dhe 15 kate mbi tokë dhe 2 kate parkim nëntokë. Pra, kemi një projekt turistik ose gati strategjik në një zonë ku nuk gjendet asnjë godinë kaq e lartë, ku sipas Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Kavajë lejohet ndërtimi deri në 6 kate. Por cila është lidhja midis drejtoreshës së Tatimeve dhe ish-ortakes së saj Marsida Dedej?
Një ditë pasi do t’i dhuronte aksionet e saj Marsida Dedej, më 17 dhjetor 2024, bashkëshorti i Erilinda Lalas, Taulant Godroli, do të bënte pagesën për një gjobë të kësaj kompanie, e cila ishte e datës 16 dhjetor 2024. Në këtë rast, prej datës 16 dhjetor, Erilinda Lala nuk ishte më aksionere dhe sipas kushteve të dhurimit të aksioneve, ajo apo bashkëshorti i saj nuk kishin asnjë detyrim ligjor për pagesat. Për më tepër, si mund të shkosh të paguash gjobën e një kompanie private, me të cilën nuk ke asnjë lidhje ligjore dhe kjo gjobë lidhet me Qendrën Kombëtare të Biznesit? Pra, kemi indicie të forta që shitja thjesht mund të jetë fiktive për të shmangur vëmendjen nga Prokuroria, por edhe agjencitë mediatike në fushën e investigimit. Konkretisht, Marsida Dedej është bashkëshortja e Drimon Dedej, hartues i bilanceve financiare për kompaninë “ECO-CLEANING” sh.p.k., ku Godroli ka qenë dhe është administrator. Për më tepër, edhe pasi u shitën aksionet, adresa e kompanisë nuk ka ndryshuar menjëherë, por ka qenë në kompleksin “Usluga”, në të njëjtin kat ku ndodhen edhe bizneset e tjera ku punon Godroli.
Dyshimet përforcohen sepse, disa muaj pasi i dhuruan aksionet, Dedej do t’ia ndryshonte emrin kompanisë, duke humbur gjurmët, e cila do të fillonte edhe procedurat për të marrë lejen e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Sipas avokates Margarita Kola, në këtë rast është detyra e ILDKPKI-së që ta dërgonte rastin në prokurori, te drejtoria e hetimit tatimor ose te krimi ekonomik. “Është detyra e ILDKPI-së ta referojë. ILDKPI-ja, për mua, është në shkelje të ligjit”, – deklaroi avokatja Kola.
LEJA PËR NDËRTIMIN E NJË 15-KATËSHI
Më 23 korrik 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit do të bënte mbledhjen e radhës për të miratuar lejet për kullat dhe resortet që lidhen me kompetencat e saj. Në këtë mbledhje do të binte në sy leja e ndërtimit e miratuar në po këtë datë për ish-kompaninë e drejtoreshës së Tatimeve, Erilinda Lala, pas të cilës dyshohet se qëndron i shoqi, Taulant Godroli. Sipas projektit, parashikohej dhënia e lejes së ndërtimit për objektin “Godinë banimi, shërbimi dhe hotel 3, 8, 10, 12 dhe 15 kate mbi tokë, me 2 kate parkim nëntokë”, me vendndodhje në Qerret dhe me subjekt zhvillues kompaninë “2D Construction 2025”. Dokumentet e siguruara nga “Vetting” evidentojnë se leja e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit është dhënë përpara se të përcaktohet natyra e tokës, pra tokë për zhvillim dhe ndërtim. Por cila është shkelja?
Në procedura të tilla, përpara se Këshilli Kombëtar i Territorit të miratojë një leje ndërtimi të tillë, kjo tokë duhej të kalonte njëherë për miratim si vendim nga Këshilli Bashkiak. Sipas dokumenteve zyrtare, procedurat nuk kanë ndjekur ligjin, por kërkesën për miratimin shpejt e shpejt të kësaj leje ndërtimi. “Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Agjencisë së Zhvillimit të Territorit për këtë vendim, i cili, edhe pse kanë më shumë se 6 muaj që është marrë, nuk është zbardhur nga AZHT-ja. Redaksia ka bërë një ankesë për institucionin dhe aktualisht kërkesa është regjistruar pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, pasi AZHT-ja refuzon të bëjë transparencën që e ka të detyrueshme me ligj. Fillimisht, kompania që do të zhvillojë projektin, “2D Construction 2025”, ka paraqitur një kërkesë për zhvillimin e projektit turistik në Qerret. Pas kësaj kërkese, Bashkia Kavajë përgatit një projektvendim për Këshillin Bashkiak për përdorimin e një pjese të tokës publike në Qerret.
“Vetting” zbulon hotelin në Borsh të Himarës, pronë e prindërve të Erilinda Lalës
Nga formulari i deklarimit të pasurisë dalin në pah fakte për mosdeklarimin e të ardhurave nga vetë bashkëshorti i Erilinda Lalas, Taulant Godroli, që rezulton menaxher pranë hotelit “Take” në Borsh, Himarë.
Në këtë restorant-hotel, kuponi tatimor nuk ekziston dhe bashkëshorti Taulant Godroli rezulton menaxher i padeklaruar në vitin 2025, sipas formularit të deklarimit të pasurisë në ILDKPKI, të siguruar nga “Vetting”. Pra, drejtoresha e Tatimeve Tiranë nuk bën deklarimin e pasurisë së bashku me personat e lidhur.
Kamera e fshehtë 1
Vetting – Sa paguhet si hotel?
Vetting – Në sezon?
Teuta Lala – Tani po, në sezon?
Teuta Lala – Deri në 150 mijë lekë për dhomë nata ka shkuar në sezon. Mëngjesi dhe çadra janë të përfshira.
Vetting – Vetëm mëngjesi ka, ka kuzhinë, restorant e të gjitha?
Teuta Lala – Po, po, të gjitha.
Vetting – Sa dhoma ka?
Teuta Lala – Ka 15 dhoma.
Vetting – Dhomat dyshe, besoj…
Teuta Lala – Ka dhoma dyshe, treshe, katërshe dhe pesëshe.
Vetting – Domethënë 150 veta…
Teuta Lala – 150 veta nuk i merr, por është një, dy, tre nga pesë. Pesëmbëdhjetë dhe katërmbëdhjetë dhe tre, njëzet e dy ka një kat.
Vetting – Njëzet e dy?
Teuta Lala – Njëzet e dy, njëzet, gjashtëdhjetë e dy.
Vetting – Kushtet janë të mira, jo?
Teuta Lala – Super. Po kur do t’i sjellësh?
Vetting – Po them në korrik, nuk besoj më përpara. Nuk e di si të bisedoj me ta, prandaj.
Teuta Lala – Po mirë, në qoftë se do vish, më thuaj mua që të flas me ta.
Vetting – Kush e ka këtë?
Teuta Lala – Unë. Të flas me ndonjë tjetër dhe të bëhem bashkë me ata.”
Gjatë bisedës, por edhe nga dokumentet e deklaruara në ILDKPKI, Taulant Godroli nuk ka bërë deklarimin si person i punësuar pranë hotelit si menaxher, duke ngritur dyshime se mund të jetë aksioner te ky hotel.
KAMERA E FSHEHTË
Teuta Lala – Urdhëro, të kesh numrin e telefonit. Të shënoj edhe të menaxherit unë këtu që ta kesh.
Vetting – Ma jep.
Teuta Lala – Të shënoj edhe të menaxherit këtu që ta kesh. 067 ****.
Vetting – Taulant e ka ai, ë? (emrin)
Teuta Lala – Po
Pra, Taulant Godroli, përveç faktit që është i punësuar te hoteli ku nuk ka bërë deklarime, ka indicie edhe për konflikt të mundshëm interesi që mund të ketë ndodhur gjatë kohës që kompania ku ai ka qenë i punësuar është përballur në gjykatë me Komisionin e Prokurimeve Publike, ku Erilinda Lala ka qenë përfaqësuesja ligjore e institucionit. “Vetting” i bëri një kërkesë për koment Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për rastin e Erilinda Lalës dhe për masat që janë marrë nga institucioni, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pati asnjë koment nga institucioni. Rasti i drejtoreshës së Tatimeve, i cili ngre dyshime të forta se mund të jetë prapa një projekti luksoz në Qerret të Kavajës, tregon se si mund të riciklohen paratë dhe të justifikohet pasuria. Vetëm se në këtë rast fjala i ngelet Prokurorisë së Posaçme, e cila ka në dorë një dosje të nxehtë që lidhet me kompaninë “Alko Impex”, Tatimet dhe Belinda Ballukun.
/Gazeta Panorama


