Reshjet intensive që kanë përfshirë Durrësin dhe pjesën më të madhe të vendit prej disa orësh kanë sjellë përmbytje në një sërë rrugësh, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve.
Situata paraqitet problematike në rrugën “Taulantia”, në rrugën “Mars 91”, e njohur edhe si aksi paralel me portin, si dhe në zonën pranë stadiumit në lagjen 18.
Probleme të ngjashme raportohen edhe në rrugën pranë shkollës “Qemal Mici” në lagjen 16, në zonën e Shkozetit dhe në disa pika të tjera të qytetit.
Këto zona janë të njohura për problematikat e përmbytjeve sa herë që reshjet shfaqen me intensitet të lartë, duke rikthyer shqetësimin e banorëve për infrastrukturën e kanalizimeve dhe kullimit të ujërave.


