Golaj, një fshat i vogël në verilindje të Shqipërisë, me rreth 4,000 banorë, ndodhet vetëm dhjetë minuta larg nga qyteti i Hasit. Megjithatë, në vitet e fundit, komuniteti është përballur me një largim masiv të të rinjve, të cilët kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit.
Punët e pakta që ofron fshati kufizohen kryesisht në bujqësi me të ardhura të ulëta ose në kafene buzë rruge, që mbijetojnë falë ndonjë turisti të rastësishëm. Banorët lokalë thonë se rreth 60% e të rinjve të Golajt kanë emigruar në Mbretërinë e Bashkuar, në kërkim të punëve më të paguara.
Emigrimi ka qenë aq i madh, sa një banor lokal, me ironi, i tha gazetës britanike The Sun: “Nuk ka më gangsterë këtu, se janë të gjithë në Angli.”
Ndërsa shumica e shqiptarëve në emigracion janë qytetarë të ndershëm dhe krenarë për etikën e tyre të punës, lidhjet me grupet kriminale dhe rrjetet e drogës, fatkeqësisht, kanë fituar një fama të keqe ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të Ministrisë britanike të Drejtësisë, një në çdo 50 shqiptarë në Britani rezultonte në burg, sipas statistikave të vitit të kaluar.
Pikërisht nga ky fshat, Golaj, janë edhe dy vëllezër shqiptarë, Isuf dhe Fation Dauti, të cilët janë dëbuar nga Mbretëria e Bashkuar pasi u akuzuan nga Agjencia Kombëtare e Krimeve (NCA) për pjesëmarrje në një rrjet të krimit të organizuar.
Fillimisht, ata punonin në ndërtim dhe pastrim në Britani, por shumë shpejt filluan të bien në sy për jetën luksoze, pavarësisht të ardhurave modeste. Ata shpenzonin shuma të mëdha në veshje firmato, lëviznin me makina luksoze dhe jetonin në një apartament në Chelsea me qira 2,700 paund në muaj.
Në vitin 2021, NCA deklaroi se kishte prova që tregonin se Fation Dauti, 40 vjeç, ishte pjesë e një grupi shqiptar të përfshirë në trafikun e drogës, kontrabandën e njerëzve dhe pastrimin e parave. Ai u konsiderua si një “rrezik për sigurinë kombëtare”.
Pas dëbimit të tij, u raportua se vëllai i tij, Isuf, kishte marrë një rol më aktiv në rrjetin kriminal.
Dy vëllezërit kanë edhe dy kushërinj, po ashtu nga Golaj, të cilët dyshohet se kanë qenë organizatorët kryesorë të një grupi që kontrabandonte qindra emigrantë të paligjshëm, përfshirë edhe fëmijë, drejt Britanisë së Madhe, të fshehur në pjesën e pasme të kamionëve.
Emigrantët paguanin deri në 13,000 paund për një vend në kabinën e shoferit, ndërsa 8,000 paund për një vend në pjesën e pasme, shpesh në kushte çnjerëzore dhe me rrezik për jetën.