Zbardhen detaje të reja nga ngjarja makabre ku u vra 23-vjeçari Renis Dobra, trupi i të cilit u gjet në mëngjesin e sotëm buzë liqenit të Shkopetit.
Dobra dyshojet se është rrëmbyer dhe më pas është ekzekutuar, ndërsa autorët dyshohet se i bënë pritë duke u prezantuar si efektivë policie.
Burimet për News 24 tregojnë se disa persona të armatosur i kanë dalë përpara mjetit që drejtonte Dobra. Në fillim i janë prezantuar si policë, duke i kërkuar të ndalojë. Në atë moment është afruar një tjetër makinë që kalonte rastësisht dhe ka pyetur nëse kishte ndonjë problem, por autorët e kanë larguar duke i thënë të vijojë rrugën.
Më pas, disa prej tyre janë futur në makinën e Renisit, duke e marrë me vete me pretendimin se po e shoqëronin për në komisariat. Në realitet, rruga ka vijuar drejt Shkopetit, ku ai u gjet pa jetë mëngjesin e sotëm.
Babai i viktimës, në një deklaratë jashtë kamerave, thotë se nuk ka dijeni për ndonjë konflikt që mund të ketë patur djali i tij. Ai shton se kamerat e sigurisë në rrugën nacionale pranë bizneseve në Shkopet janë cilësore dhe kapin fytyra, ndaj i bën apel policisë të zbardhë autorët sa më parë.
Edhe daja i babait të të ndjerit ka dhënë një dëshmi të ngjashme, duke kërkuar drejtësi të plotë dhe hetim të thelluar, pasi sipas tij familja nuk ka pasur probleme me askënd.
Dinamika e ngjarjes
Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se 23-vjeçari është rrëmbyer dhe më pas vrarë, por shkaku zyrtar i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Gazetari Enver Doçi raportoi se kamerat e sigurisë kanë fiksuar një automjet që shoqëronte makinën e Renis Dobrës nga fshati Zenisht deri në qytetin e Burrelit. Pas kësaj pike nuk ka më kamera sigurie që të ndihmojnë në gjurmimin e lëvizjeve të tij apo të personave të përfshirë.
Trupi i pajetë i të riut u gjet pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa ishte babai i tij që denoncoi zhdukjen në polici rreth orës 21:30 të së martës së 8 korrikut, pasi djali nuk ishte kthyer në banesë dhe kishte humbur kontaktet për më shumë se tre orë.
Hetimet janë në vijim e sipër, ndërsa policia po punon për të identifikuar automjetin dhe autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë.