Pas një serie ngjarjesh kriminale me armë dhe eksploziv në Sarandë gjatë 5 ditëve të fundit, strukturat speciale të Policisë së Shtetit kanë hyrë në alarm të kuq. Burime zyrtare bëjnë me dije se 5 persona janë në kërkim, mes tyre edhe një i paidentifikuar, për dy sulme me armë zjarri dhe një shpërthim eksplozivi që kanë tronditur qytetin turistik në kulmin e sezonit.
Në orët e para të mëngjesit të 23 korrikut, forcat RENEA zbarkuan në Sarandë dhe krehën zonat e izoluara nga toka dhe deti, ndërkohë që mbrëmjen e po të njëjtës ditë, efektivë të Operacionales së Vlorës, të maskuar në automjete civile, ndalonin automjete në lëvizje në akset kryesore të Sarandës dhe Ksamilit, siç dokumentohet edhe nga pamjet e publikuara nga BalkanWeb.
Komisariati i Sarandës nën presion – struktura e vogël përballë krimeve të rënda
Saranda po përballet me rritje të ndjeshme të kriminalitetit, ndërsa kapacitetet e kufizuara të komisariatit lokal nuk mjaftojnë për të përballuar fluksin e ngjarjeve të rënda. Prej kohësh, hetimet për veprat penale të nivelit të lartë janë deleguar tek Drejtoria e Policisë së Vlorës, që ka burime më të avancuara teknike, hetues, survejim dhe mbështetje ndërkombëtare.
Kjo situatë është produkt i një reformimi të strukturës, ku një komisariat i vetëm duhet të mbulojë jo më pak se 4 bashki – çka e ka lënë të ekspozuar përballë krimeve të rënda dhe bandave të armatosura. Pasojat kanë filluar të ndihen: menaxhimi i trafikut, rendi në plazhe dhe konfliktet e përditshme janë shtyrë në plan të dytë, duke rritur rrezikun që incidentet e vogla të degradojnë në ngjarje fatale.