Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi është shprehur se me refuzimin e mazhorancës për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore, sipas tij, “për farsën zgjedhore të 11 Majit dhe aferën personale me ‘McGonigal’”, kryeministri Edi Rama po asgjëson parlamentarizimin.
“Është një akt antikushtetues që asgjeson një nga funksionet kryesore të Kuvendit – atë të kontrollit parlamentar”, theksoi ai.
Bardhi shtoi se PD kërkon standardet që ka çdo vend i BE-së, duke theksuar se Integrimi europian nuk është ceremoni në Bruksel, por pastrim i korrupsionit brenda qeverisë së Tiranës.
“Shqipëria nuk mund të ketë imazh europian me standarde afrikane”, shprehet ai.
Postimi i plotë:
Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
Refuzimi nga Edi Rama i të drejtës së opozitës, për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore për farsën zgjedhore të 11 Majit dhe aferën personale me “McGonigal”, është një akt antikushtetues që asgjeson një nga funksionet kryesore të Kuvendit – atë të kontrollit parlamentar. Përmes këtij akti Edi Rama nuk asgjeson vetëm të drejtat kushtetuese të opozitës, por vetë parlamentarizimin.
Komisionet Hetimore parlamentare janë instrument i transparencës, jo i bllokimit politik. Ne kërkojmë standardet që ka çdo vend i BE-së, asgjë më shumë. Integrimi europian nuk është ceremoni në Bruksel, por pastrim i korrupsionit brenda qeverisë së Tiranës. Shqipëria nuk mund të ketë imazh europian me standarde afrikane.
Parlamenti nuk duhet të jetë vendi i propagandës së qeverisë, por vendi ku opozita kontrollon, kërkon llogari, nxjerr përgjegjësi. Opozita nuk do të bëhet kurrë një stoli e një bande që pasi asgjesuan zgjedhjet e barabarta dhe të lira, duan të asgjesojnë edhe Parlamentin.


