Pas një statusi të kryeministrit Rama në rrjetin X, ku komentoi kërkesën e unionit të gjyqtarëve për rritje page me 700 euro, Gjykata Kushtetuese ka dalë me një reagim zyrtar.
Në komunikatën e saj, Gjykata Kushtetuese garanton se ushtrimi i funksionit të saj kushtetues është i pandikuar nga palët politike apo veprimtaritë dhe vendimmarrjet e tyre.
Më tej thekson se janë të papranueshme ndikimet apo përpjekjet që vënë në dyshim autoritetin dhe reputacioni e saj, gjë e cila cenon balancën mes pushteteve.
Dje, Unioni i Gjyqtarëve kërkoi nga ekzekutivi një rritje page me 700 euro. Rama në X e quajti një lajthitje, teksa kujtoi edhe një herë tjetër kërkesën e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, që e quajti si “shaka” për të cilën fillimisht mazhoranca socialiste heshti, por tani nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.
Reagimi:
Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.
Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve.