Raporti i fundit i Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2025 nga Transparency International tregon se Shqipëria përballet me rreziqe të konsiderueshme nga korrupsioni dhe dobësimi i mbikëqyrjes institucionale.
Nga 42 pikë që kishte në vitin 2024, këtë vit vendi ka marrë 39 pikë nga 100, duke treguar sfida serioze në transparencën dhe menaxhimin e resurseve publike.
Në renditjen globale mes vendeve, Shqipëria pozicionohet e 91-ta duke humbur 11 vende në renditjen e Transparency International, pasi në raportin e vitit të kaluar Shqipëria ishte e 80-ta mes 182 shteteve.
TI thekson se një nga problemet kryesore është mungesa e procedurave konkurruese, e cila ka çuar në “rrezik për degradim mjedisor në rastin e ishullit të Sazanit në Shqipëri”.
Sa i përket Sazanit, Shqipëria në fund të vitit 2024 i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë të dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner, për të ndërtuar një resort turistik në ishullin e Sazanit në afërsi të Vlorës.
Statusi i investitorit strategjik, kompanisë së Kushnerit i është dhënë për periudhën 10-vjeçare. Planet e tij për investim në Shqipëri ishin përballur me kundërshtime në këtë shtet, sidomos nga ambientalistët që kishin thënë se mund të shkaktohen dëme në zonat e mbrojtura bregdetare, sidomos për zonën e Zvërnecit.
Gjithashtu, TI tha po ashtu se në disa vende të Ballkanit Perëndimor, përgjigja e dobët e gjyqësorit vlerësohet si një nga pengesat kryesore për luftën e suksesshme kundër korrupsionit, “teksa gjyqtarët dhe prokurorët po bëhen gjithnjë e më shumë objekt i sulmeve nga qeveritë”.
“Në disa vende të Ballkanit Perëndimor, reagimi i dobët gjyqësor është një nga pengesat kryesore për të luftuar me sukses korrupsionin, megjithatë, gjyqtarët dhe prokurorët janë gjithnjë e më shumë një objektiv i sulmeve qeveritare”, thuhet në raport.
Raporti thekson se forcimi i institucioneve të pavarura dhe hapësirës qytetare është thelbësor për të luftuar korrupsionin. Transparenca në vendimmarrje, procedurat konkurruese dhe mbikëqyrja efektive janë të nevojshme për të parandaluar keqpërdorimin e fondeve publike dhe ndikimin e interesave private.
“Korrupsioni në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore nuk është i pashmangshëm; ai lulëzon aty ku demokracia dobësohet dhe llogaridhënia dështon. Qeveritë duhet të forcojnë urgjentisht pavarësinë gjyqësore, të mbrojnë hapësirën qytetare dhe të sigurojnë transparencë në institucionet publike, ose rrezikojnë t’i lënë qytetarët të prekshëm ndaj abuzimit të rrënjosur të pushtetit”, tha Lidija Prokic, këshilltare rajonale në Transparency International.


