Nënkryetari i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj, i cilësoi të dhëna alarmante gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi klimën e investimeve në Shqipëri.
Deputeti i partisë Demokratike vuri theksin tek korrupsioni i lartë, krimi o organizuar dhe pastrimi i parave në një ekonomi informale masive, që po dëmtojnë zhvillimin ekonomik në vend dhe po pengojnë investimet serioze nga partnerët ndërkombëtarë.
“Shqipëria, sipas raportit, mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes, me një klimë që dekurajon investitorët dhe që favorizon klientelizmin e lidhur me pushtetin”, shprehet mes të tjerash Gjekmarkaj në një postim të tij në rrjetin social.
Ai nënvizon se ky raport i jep plotësisht të drejtë qëndrimeve të opozitës dhe paralajmërimeve të saj të përsëritura, duke nisur që nga kryetari Sali Berisha.
“Kështu ndodh kur dinamikën ekonomike e përcaktojnë kartelet, dhe jo nevojat bazike të një shoqërie që lufton për mbijetesë dhe në shumë raste braktis vendin. Amerika nuk po flet më me gjuhë diplomatike, por po ulëret për rrezikun që përfaqëson kjo qeveri për ekonominë dhe demokracinë në Shqipëri”, shprehet nënkryetari i Parlamentit.
Në fund ai shprehet i vendosur se opozita do ndërtojë alternativa të reja për Shqipërinë, me ekonomi të hapur, transparente dhe konkurruese, që garanton siguri dhe mbështetje për investitorët dhe lufton korrupsionin.
Reagimi i plotë i Agron Gjekmarkajt:
“Raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve në Shqipëri konfirmon shqetësimet që opozita ka ngritur prej vitesh ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Të dhënat janë alarmante: korrupsioni i përhapur, krimi i organizuar, pastrimi i parave dhe një ekonomi informale masive po dëmtojnë rëndë zhvillimin ekonomik të vendit dhe po pengojnë investimet serioze nga partnerët ndërkombëtarë. Shqipëria, sipas raportit, mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes, me një klimë që dekurajon investitorët dhe që favorizon klientelizmin e lidhur me pushtetin.
Ky raport i jep plotësisht të drejtë qëndrimeve të opozitës dhe veçanërisht denoncimeve të vazhdueshme të liderit të saj, Sali Berisha. Për vite me radhë është paralajmëruar se kështu katandiset një vend kur shkatërrohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme, kur pushteti kap institucionet dhe përdor administratën për të mbrojtur krimin dhe pastrimin e parave. Kështu ndodh kur dinamikën ekonomike e përcaktojnë kartelet, dhe jo nevojat bazike të një shoqërie që lufton për mbijetesë dhe në shumë raste braktis vendin. Nuk po e themi më vetëm ne – po e thotë zyrtarisht Departamenti Amerikan i Shtetit. Amerika nuk po flet më me gjuhë diplomatike, por po ulëret për rrezikun që përfaqëson kjo qeveri për ekonominë dhe demokracinë në Shqipëri.
Opozita është e vendosur të ndërtojë një alternativë të re për Shqipërinë, me një ekonomi të hapur, transparente dhe konkurruese. Ne besojmë në një shtet që garanton sigurinë juridike për investitorët, që mbështet fuqinë punëtore vendase dhe që vendos përpara ligjit çdo formë abuzimi apo korrupsioni. Ky raport është një thirrje alarmi për të gjithë aktorët politikë dhe qytetarët shqiptarë: ndryshimi nuk është më një zgjedhje – është një domosdoshmëri”.