SPAK, në raportin vjetor për vitin 2025, ka renditur një sërë problematikash, për të cilat kërkon ndryshime ligjore, në mënyrë që të garantohet cilësia dhe mbarëvajtja e veprimtarisë së institucionit të reformës në drejtësi.
Si sfidë të parë, SPAK thekson se hetimet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë mbeten problematikë, dhe se retorika politike rrezikon të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e institucionit si edhe të bëhet një faktor nxitës për rritjen e kërcënimeve nga krimi i organizuar.
Po ashtu, SPAK thekson se masat ligjore që mund të cenojnë mjetet proceduriale dhe pavarësinë e institucionit janë shqetësuese, pasi ndërhyrje të tilla do të përbënin rrezik serioz për funksionin kushtetues të institucionit.
“SPAK do ti konsideronte veçanërisht shqetësuese ato nisma ose masa me karakter ligjor dhe institucional, që do të synonin kufizimin e mjeteve proceduriale dhe pavarësinë e saj. Ndërhyrje të tilla do të përbënin rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës.“, thekson Prokuroria.
Një tjetër problematikë që përmend SPAK është statusi i prokurorëve pas përfundimit të mandatit, duke thënë se “Mos përcaktimi i qartë ligjor kërcënon vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale”.
Ndalet gjithashtu edhe te bashkëpunimi me institucionet e tjera, veçanërisht me Policinë e Shtetit, teksa thotë se duhet të jetë më intensiv.
Problematikat që rendit SPAK:
SPAK ka identifikuar disa sfida kryesore në funksionimin e saj, të cilat kërkojnë ndryshime ligjore të mundshme në Kushtetutë, ligjin organik nr. 95/2016 dhe ligje të tjera, për të garantuar cilësinë dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë së institucionit, si më poshtë:
Sfidat në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë – Hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta paraqet sfida të rëndësishme për SPAK. Gjithashtu, retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e institucionit, si dhe mund të shërbejë edhe si faktor nxitës për rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi i organizuar. SPAK do ti konsideronte veçanërisht shqetësuese ato nisma ose masa me karakter ligjor dhe institucional, që do të synonin kufizimin e mjeteve proceduriale dhe pavarësinë e saj. Ndërhyrje të tilla do të përbënin rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës.2. Statusi i prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit – Mos përcaktimi i qartë ligjor kërcënon vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar në besimin e publikut dhe në përmbushjen e kërkesave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.3. Këshilltarët ligjor pranë SPAK – Mungesa e këshilltarëve ligjorë me përvojë krijon vështirësi në cilësinë e hetimeve dhe ndjekjes së çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë edhe në Gjykatën Kushtetuese.
4. Bashkëpunimi me institucionet publike – Edhe pse ka rritje të referimeve dhe shkëmbimit të informacionit, niveli i bashkëpunimit duhet të intensifikohet më tej, veçanërisht me Policinë e Shtetit, për të garantuar hetime më të koordinuara dhe efikase.
5. Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve (Case Management System) – Konsolidimi i mëtejshëm i moduleve ekzistuese dhe integrimi i funksionaliteteve të reja mbetet prioritet për të përmirësuar ndërveprimin me proceset hetimore dhe procedurale të të dhënave, duke siguruar monitorim më të mirë të progresit të çështjeve.
6. Njësia e analizës – Ngritja e një strukture të specializuar për mbështetjen e hetimeve komplekse, matjet e riskut dhe raportimet kombëtare dhe ndërkombëtare vazhdon të mbetet sfidë, duke kërkuar bashkëpunim të vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtarë.
7. Specialisti Ndërlidhës – Statusi i specialistit ndërlidhës si nëpunës civil nuk përputhet plotësisht me funksionet, që duhet të kryejë sipas ligjit nr. 95/2016, duke e bërë të nevojshëm përcaktimin e qartë të pozicionit dhe kompetencave për të garantuar efektivitetin e rolit.
8. Shqyrtimi i kërkesave nga autoritetet e huaja – Mungesa e kompetencës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja, përfshirë procedurat e ekstradimit, mbetet problematike dhe ndikon vijimësinë e hetimeve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
9. Kompetenca e Gjykatave të Posaçme – Mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale për subjektet e posaçme detyron që këtë çështje ta trajtojnë nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, duke rritur kohëzgjatjen dhe kompleksitetin procedural.
10. Ekstradimi/deportimi i shtetasve shqiptarë – Edhe pse ka përmirësime në bashkëpunimin me disa shtete, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, procesi i ekstradimit vazhdon të jetë sfidues dhe kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për të garantuar ekzekutimin e vendimeve penale jashtë vendit.


