Enisa Eminovska
Gjatë muajit të Ramazanit, koncepti i sadakasë (lëmoshës) forcon solidaritetin dhe ndjeshmërinë shoqërore. Por pikërisht në këtë periudhë shfaqet një paradoks: rritet numri i fëmijëve lypës në rrugë. Shkaku nuk është festa në vetvete, por fakti që komuniteti është më i gatshëm të japë. Kështu, akti i mëshirës mund të bëhet i dykuptimtë – njëkohësisht shprehje e mirësisë dhe nxitës i ciklit të lypjes.
Në studimet akademike për komunitetin rom, lypja analizohet si strategji mbijetese në kushte të varfërisë sistemike dhe përjashtimit shoqëror. Hulumtimi i Jon Horgen Friberg (Oxford Academic, 2020) tregon se migrimi për lypje në Evropë nuk mund të shpjegohet me “zakone kulturore”, por është rezultat i strukturave ekonomike dhe mungesës së alternativave.
Sipas raportit të UNICEF “Fëmijët e harruar të Evropës: Fëmijët romë dhe familjet e tyre 2000–2020” (UNICEF, 2024), përmirësimi i jetës së këtyre fëmijëve kërkon qasje të bazuar në të drejtat e njeriut, e jo vetëm masa ndëshkuese. Fëmijët lypës nuk janë “një kategori”, por individë me nevoja dhe potenciale të ndryshme.
Stereotipet dhe institucionet
Stereotipet për “lypës romë” e thellojnë stigmën dhe e pengojnë integrimin. Sipas një studimi të publikuar në Journal of Poverty and Social Justice (Fitzpatrick & Watts, 2023), kriminalizimi i lypjes pa mbështetje sociale e thellon margjinalizimin. Në vend të kësaj, nevojiten zgjidhje holistike që adresojnë jo vetëm pasojat, por edhe shkaqet e varfërisë.
Rrugë drejt ndryshimit
Sadaka me vetëdije – orientimi i lëmoshës drejt organizatave të verifikuara që ofrojnë ushqim, arsim dhe mbështetje për familjet, në mënyrë që ndihma të mos e stimulojë lypjen.
Edukimi dhe trajnimi institucional – punonjësit në qendrat sociale, shkollat dhe policia duhet të marrin trajnime të rregullta për ndjeshmëri kulturore dhe antidiskriminim. Vetëm kur të shihet ana njerëzore e këtyre fëmijëve – talentet, ëndrrat dhe dëshira për arsim – do të ndryshojë perceptimi nga “lypës” në “fëmijë me potencial”.
Shembuj pozitivë – promovimi i historive të suksesshme të fëmijëve romë që përmes arsimit dhe mbështetjes sociale kanë arritur rezultate të dukshme. Të kujtojmë rastin e Amirit, i cili si fëmijë i rrugës me një vakt në ditë fitoi vendin e tretë në garën ndërkombëtare të matematikës Kangaroo Math Competition në vitin 2022.
Është e rëndësishme gjithashtu të pranohet se shtypja e brendësuar (internalizuar) luan rol të madh brenda komunitetit rom. Me kalimin e kohës, disa anëtarë kanë përvetësuar stereotipet dominuese për vetveten, gjë që krijon nevojë për ndryshim perceptimesh edhe brenda vetë komunitetit. Muaji i Ramazanit mund të jetë moment reflektimi: diskutime në xhami, ligjërata (ders) dhe hapësira dialogu që nxisin mbështetje në vend të përjashtimit.
Përfundim
Sadakaja është më shumë se një akt individual bamirësie – ajo mund të jetë instrument transformimi shoqëror. Nëse e drejtojmë me vetëdije, mund të bëhet urë nga rruga drejt klasës, nga stigma drejt potencialit, nga mirësia e momentit drejt ndryshimit të qëndrueshëm.
Autorja është aktiviste.


