Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot një përditësim mbi interesin për Paketën e Maleve, duke publikuar një hartë të Shqipërisë me shpërndarjen gjeografike të aplikimeve të para.
Sipas Ramës, në vetëm 5 ditë janë regjistruar 787 aplikime, një shifër që ai e cilëson “frymëzuese” për potencialin zhvillimor të zonave malore.
“Kjo është një hartë frymëzuese e aplikimeve për Paketën e Maleve, ku në vetëm 5 ditë numërohen 787 aplikantë”, shkroi Rama në Facebook.
Kryeministri thekson se kushdo që dëshiron të investojë në zonat malore – qoftë për një bujtinë, agroturizëm, fermë apo linjë agropërpunimi – duhet të ndërtojë me leje, për të përfituar nga mbështetja e qeverisë dhe kreditë e buta të ofruara nga Banka e Shqipërisë.
“Të gjithë emigrantët posaçërisht, por edhe ata që jetojnë në Shqipëri, e duan të rihapin derën e shtëpisë së të parëve në mal a në zonat kodrinore të vendit… janë të ftuar të aplikojnë dhe ndërtojnë ME LEJE, duke përfituar nga mbështetja e qeverisë dhe linja e kredisë së butë”, theksoi Rama.
Paketa e Maleve synon të nxisë investimet në turizëm, bujqësi dhe përpunim ushqimor, si pjesë e politikave për ringjalljen ekonomike të zonave të thella dhe kthimin e emigrantëve drejt pronave të trashëguara në fshat.
https://www.facebook.com/share/19brND7X4q/?mibextid=wwXIfr
Çfarë parashikon ligji për Paketën e Maleve
Ligji parashikon mbështetjen vetëm për 500 projekte, të cilat do të përzgjidhen mbi bazën e planeve të zhvillimit që aplikantët duhet të dorëzojnë. Përfituesit, që mund të jenë individë ose biznese të regjistruara, nuk do të paguajnë asnjë taksë për 10 vjet, përfshirë TVSHnë, tatimin mbi fitimin, taksën e pasurisë dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë. Një ndër aspektet më novatore të kësaj pakete është adresimi i çështjes së pronësisë së pasqaruar në zonat malore. Ligji u jep të drejtën poseduesve faktikë të pasurive shtetërore që kanë mbi 10 vjet përdorim të pandërprerë, të bëhen pronarë legjitimë, me kusht që të kenë një plan investimi konkret dhe të pajisen me leje zhvillimi. Po ashtu, ligji hap rrugën për partneritete mes poseduesve ekzistues dhe investitorëve të interesuar, duke krijuar modele bashkëpunimi për zhvillim të përbashkët.
Në thelb, “Paketa e Maleve” synon të ndalë shpopullimin, të forcojë ekonominë lokale, të rrisë turizmin malor dhe prodhimin bujqësor, si dhe të promovojë identitetin lokal përmes investimeve që respektojnë mjedisin, peizazhin dhe trashëgiminë kulturore. Fokusi fillestar do të jetë zonat malore të veriut, ku problematika si braktisja, mungesa e infrastrukturës dhe informaliteti i pronës janë më të theksuara. Ministria e Ekonomisë do t’i propozojë Këshillit të Ministrave shpalljen zyrtare të këtyre zonave si zona të përparësisë për zhvillim turistik, duke mundësuar plane të integruara zhvillimi.
Ligji u miratua vetëm me votat e Partisë Socialiste, duke shkaktuar debate të ashpra në Kuvend, pasi opozita e konsideroi atë si një ligj klientelist, të miratuar vetëm një muaj para zgjedhjeve me qëllime politike. Megjithatë, interesimi për aplikim ka qenë i lartë që në ditët e para dhe qeveria e konsideron këtë si një hap të rëndësishëm drejt aktivizimit ekonomik të territoreve të lëna pas dore. Tashmë, mbetet për t’u parë sesi kjo paketë do të zbatohet në praktikë dhe nëse do të arrijë të realizojë objektivat ambicioze të saj për transformimin e zonave malore në vatra zhvillimi dhe mirëqenieje.