Bujqësia është një nga sfidat më të mëdha të qeverisë por edhe pikat kyçe për integrimin e vendit në BE.
Kryeministri Edi Rama pranoi sot nga Berati, gjatë takimit me prodhuesit, se ka pasur edhe problematika në financimin e fermerëve dhe bujqësisë me naftë, ku shpesh edhe është abuzuar.
Ai tha se formula nuk dha rezultat, teksa nënvizoi se nafta do taksohej për fermerët, por shteti nuk do ndalonte as mbështetjen me financime për ta dhe as subvencionimin e merituar.
Në fjalën e tij para prodhuesve dhe sipërmarrësve të përpunimit të vajit të ullirit në qytetin e Beratit, që kishin iniciuar Shoqëritë e Përbashkëta të Grumbullimit, ai theksoi se objektivi kryesor është rritja e standardeve të prodhimit, në mënyrë që produktet shqiptare të jenë konkurruese dhe të tregtueshme në tregun e Bashkimit Europian.
Një nga çështjet më të diskutuara ishte edhe ndryshimi i politikës për furnizimin me naftë për fermerët. Kryeministri theksoi se fermerët nuk do të përfitojnë më naftë pa taksa, duke argumentuar se kjo skemë ishte keqpërdorur.
“Dalja nga kjo formulë nuk do të sjellë ulje të prodhimit,” u shpreh Rama, duke shtuar se “nafta pa taksa në shumë raste ishte përdorur për qëllime që nuk kishin lidhje me bujqësinë”.
Ai shpjegoi se në shumë raste kjo naftë u ishte dhënë personave që nuk e meritonin.
“Nafta ka qenë një sfidë për bujqësinë, sepse ne jemi përpjekur ta kthejmë atë nga disa anë. Kemi pasur mbi 60 mijë që kanë marrë naftë, ndërsa fuqia prodhuese nuk e ka këtë lloj proporcioni. Në këtë kuptim, ne nuk kemi hequr mbështetjen për askënd, por kemi hequr mundësinë që nafta të abuzohet dhe të përdoret për qëllime që nuk lidhen me bujqësinë. Shumë njerëz që punojnë tokat e të tjerëve janë detyruar ta marrin naftën dhe t’ua japin të tjerëve. Ne jemi detyruar të provojmë disa mënyra, dhe kjo tani vjen si rezultat i njohurive të formalizimit, i cili do t’ju japë mundësinë të keni më shumë mbështetje nga shteti dhe të përfitoni nga fondet evropiane. Një nga sfidat më të vështira të anëtarësimit në BE është siguria ushqimore. Standardet e sigurisë ushqimore duhet të garantohen. Unë besoj se shqiptarët kanë aftësinë të përshtaten, por duhet të fillojmë të punojmë që tani për atë që dëshiron Bashkimi Evropian. Ne duhet t’i përmbushim standardet si vend i BE-së”, u shpreh Rama.
Por sipas kryeministrit, ka edhe nga ata që abuzojnë me naftën, duke ia dhënë personave të tjera që janë me “Mercedes”.
“Ose kemi dalë në atë konkluzion edhe për një fakt tjetër që shumë njerëz që punojnë tokat e të tjerëve kanë qenë të detyruar ta marrin naftën e t’ia japin të tjerëve sepse është dhënë për sipërfaqe dhe ajo sipërfaqe është e dikujt tjetër e ndarë, ai tjetri ka Mercedes dhe kështu ai e merr nga të tjerët ndaj nuk na ka rezultuar kjo formulë dhe as nuk ka për të rezultuar se dalja nga kjo formulë do sjellë rënie të prodhimit. Nuk është kjo që e rrit podhimin, janë konkluzione që dalin nga proaktika, kemi provuar disa rrugë të detyruar dhe kjo rrugë është rritje e vetëdijes për formalizim, sepse kjo ju jep më shumë ndihmë nga shteti dhe financimet evropiane”, deklaroi kreu i mazhorancës.
Kryeministri theksoi se “ne duhet t’i rezistojmë kësaj dallge”, teksa foli për rritjen e pagave në bujqësi, investimet, lehtësimin e taksave dhe skemat e tjera mbështetëse për këtë sektor, me synimin që të arrihet një standard prodhimi që të jetë i tregtueshëm për tregun e madh të BE-së
“Mbi 70 përfaqësues të fabrikave në fushën e përpunimit të vajit të ullirit janë bashkuar në një konsorcium të vetëm, duke krijuar një model unik në shitjen e këtij produkti me më pak kosto dhe më shumë fitime; një nismë që do të ketë në vijim mbështetje të posaçme nga bashkia dhe qeveria, me një program të ri kombëtar “Dyfisho Ndërmarrjen”, që do të mundësojë financim për të gjithë ata që duan të rriten si biznes me një plan konkret dhe bindës”, tha ai mes të tjerash para bujqve dhe fermerëve beratas.


