Gazetarja Klodiana Lala, teksa ka komentuar reagimet e kryeministrit Edi Rama për protestën e qytetarëve kundër ndërtimeve në zonën e Zvërnecit, është shprehur se kreu i qeverisë nuk i druhet këtyre tubimeve, por hetimeve nga Prokuroria e Posaçme.
“Unë mendoj se zoti Rama më shumë se sa protesta dhe më shumë se sa çfarë po ndodh, trembet nga hetimi i SPAK”, tha ajo, pasi sot u bë me dije se Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar disa kontrolle në Tiranë dhe Vlorë në kuadër të hetimeve për dyshimet mbi tjetërsimin e pronave në zonën e Zvërnecit.
Po ashtu, Lala tha se SPAK brenda pak ditësh mund edhe të urdhëroj sekuestrimin e kësaj prone ku pritet të ndërtohet dhe që dyshohet se është pronë e falsifikuar.
Një veprim i tillë nga SPAK, sipas gazetares, do të çonte automatikisht në anulimin e projektit.
“Unë mendoj se zoti Rama më shumë se sa protesta dhe më shumë se sa çfarë po ndodh, trembet nga hetimi i SPAK. Dhe unë mendoj se në ditët në vijim, mund të këtë realisht vendime që mund të shkojnë deri në një sekuestrim të mundshëm.
Sekuestrim të pronës që dyshohet e falsifikuar. Sekuestrimi më pas sjell automatikisht bllokimin e projektit.
Më shumë se sa protestat, zotin Rama e shqetëson kjo. Nuk mendoj se do jetë e largët dita, ndoshta brenda 10 ditësh mund të shkohet në një veprim konkret që do të shkaktonte probleme me Kushnerin vetë, sepse më pas aty është një shtetas amerikanë që pritet të investojë”, tha Klodiana Lala në News 24.


