Kryeministri Edi Rama thotë se ka marrë një ftesë personale nga Presidenti amerikan Donald Trump, për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes të ngritur për rindërtimin e Gazës.
“Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë”, shkroi Rama në Facebook.
“Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e pa diskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të.
Thank you, Mr. President. God bless Albania and the United States”.


