Një 19-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike në një kantier ndërtimi në Londër, pasi ra nga gjashtë kate lartësi, në një ngjarje që autoritetet e kanë cilësuar si “plotësisht të shmangshme”.
Viktima është Renols Lleshi, i cili po punonte në katin e 12-të të një godine në zonën Acton, në perëndim të kryeqytetit britanik. Ngjarja e rëndë ndodhi në korrik të vitit 2023, ndërsa i riu po ndihmonte në çmontimin e skelave në kopshtin e çatisë.
Sipas hetimeve, 19-vjeçari shkeli mbi një mbulesë ventilimi e cila nuk ishte e sigurt, duke rënë në boshllëk nga gjashtë kate dhe duke gjetur vdekjen në vend.
Autoritetet britanike për shëndetin dhe sigurinë në punë (HSE) zbuluan se hapësira ishte mbuluar vetëm me karton gipsi dhe shkumë çatie, materiale të papërshtatshme për të garantuar sigurinë.
Po ashtu, u konstatua se zona e kopshtit në çati nuk ishte përfshirë në kontrollet rutinë të ndërtesës, duke bërë që rreziku të mos identifikohej në kohë.
“Rëniet nga lartësia janë ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në vendin e punës. Ky ishte një incident plotësisht i shmangshëm që i mori jetën një të riu”, deklaroi inspektorja e HSE, Natalie Prince sipas The Sun.
Ndërkohë, familja e viktimës është shprehur e shkatërruar nga humbja, duke theksuar se fakti që aksidenti mund të ishte shmangur e bën dhimbjen edhe më të madhe.
“Jemi të shkatërruar nga humbja e Renolsit. Të dish se vdekja e tij mund të ishte parandaluar e bën gjithçka edhe më të rëndë për ne”, u shpreh babai i tij.
Kompania e ndërtimit, “Jerram Falkus Construction Limited” ka pranuar fajësinë për shkelje të rregullave të punës në lartësi dhe është gjobitur me mbi 42 mijë paund, si dhe është detyruar të paguajë shpenzime gjyqësore dhe penalitete shtesë.
Ndërkohë, bëhet e ditur se kompania ka ndërprerë aktivitetin muajin e kaluar dhe ka hyrë në proces administrimi.


