Efektivi i forcave “Shqiponja”, Gentjan Meda mbeti i plagosur gjatë një operacioni për kapjen e një personi shumëkërkuar në Maqellarë, i dënuar nga gjykata e Apelit në Romë me 6 vite e 7 muaj burg për disa vepra penale.
Gjatë operacionit, efektivi i “Shqiponjave” ka rënë nga muri rrethues i banesës trekatëshe dhe u lëndua në kokë dhe në trup. Policit të plagosur fillimisht i është dhënë ndihma e parë në Qendrën Shëndetësore të Maqellarës dhe më pas u transportua me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
Ndërkohë, një banore ka treguar edhe vendin ku kishte rënë polici.
“Tha vdiqa bre, më erdhi gjynah. E shikon ku janë tullat, my aty ishte shtrirë. Ishte i gjakosur. Ai mund të kenë rënë më herët por s’kemi dëgjuar. Mund të ketë qenë ora 6.”, tha banorja e pyetur për ngjarjen.
Efektivi është transportuar drejt Spitalit të Traumës, ndërsa gjendja e tij paraqitet jashtë rrezikut për jetën.


