Fatjon Gjonaj, i dyshuari shqiptar dhe kreu i një bande të përfshirë në trafik ndërkombëtar të kokainës, hashashit dhe marijuanës, u ekstradua në Itali. Gjonaj arriti në aeroportin Fiumicino rreth orës 18:15 dhe u dërgua menjëherë në burg, ku është në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.
Ai ishte arrestuar më 3 qershor në Dubai, pas një hetimi të gjatë ndërkombëtar. Gjonaj dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me ish-udhëheqësin e grupit kriminal Curva Sud, Luca Luccin, i cili ndodhet në burg që nga prilli i vitit 2025, pas arrestimit për trafik droge.
Hetimet ndaj Gjonajt nisën si pjesë e një hetimi më të gjerë nga skuadra mobile e Milanos, lidhur me sulmin ndaj Enzo Anghinellit më 12 prill 2019 në Milano. Për këtë ngjarje janë dënuar në shkallë të parë si porositësi i dyshuar Luca Lucci dhe autori Daniele Cataldo.
I shpallur në kërkim nga dhjetori i vitit 2024, Gjonaj u lokalizua në fillim të qershorit në Emiratet e Bashkuara Arabe, falë një hetimi kompleks në bashkëpunim me forcat ndërkombëtare të rendit. Në kuadër të të njëjtit operacion, në datat 17 dhjetor 2024 dhe 4 prill 2025 u arrestuan 12 persona, përfshirë edhe Luccin.
Sipas hetimeve, Lucci dhe Gjonaj menaxhonin një rrjet të madh trafiku droge nga Spanja dhe Maroku drejt Italisë. Gjatë shtatë muajve janë trafikuar mbi 3.5 tonë drogë, me fitime që arrijnë deri në 1000 euro për kilogram hashash, si dhe më shumë për marijuanën dhe kokainën.
Droga, përfshirë hashashin dhe marijuanën, transportohej me kamionë drejt një magazine në Inveruno, pranë Milanos, ndërsa shpërndarja bëhej përmes dy punonjësve të Amazon, të cilët shfrytëzonin lirinë e lëvizjes për të transportuar substancat e paligjshme.