Këshilltarët e Halifaxit kanë miratuar një listë të parqeve, ku të pastrehët mund të ngrenë kampe të reja e të caktuara në zonat publike, sepse një pjesë e vogël e strehimoreve aktuale janë të mbipopulluara dhe mbajnë vetëm rreth gjysmën e gati 200 njerëzve të pastrehë në qytet
Teksa qytetet përgjatë Amerikës Veriore përballen me të pastrehët, një qytet kanadez ka ndjekur një tjetër qasje, duke i rregulluar kampingjet e tendave në vend se t’i ndalojë ato, derisa përpiqet ta trajtojë atë që një zyrtar e quan çështje “e dekadës”.
Andrew Goodsell e ka quajtur tendën e tij të vogël portokalli, të vendosur në një copë bari në Halifax, shtëpi për gati një vit.
Në fund të tetorit, në një stol të parkut jashtë shtëpisë së tij të improvizuar, 38-vjeçari e ka përshkruar jetën në kampingun e të pastrehëve, ku jeton me dhjetëra të tjerë, si “depresiv”.
“Zgjohem në një zonë ku nuk dua të jem”, ka thënë Goodselli, me radhët e gjata të makinave që po kalonin aty pranë. “Më mirë të zgjohesha në një pikë ku mund të bëja dush dhe ndoshta t’i përgatisja vetes diçka për të ngrënë. Por, prapëseprapë do të ngrihem nga shtrati”.
Goodselli për një dekadë ka qenë herë pa shtëpi e herë me shtëpi.
Ai dikur fitonte para duke bartur divane ose duke punuar punë me pagë minimale për ta paguar qiranë, por me rritjen e çmimeve të qirasë në Halifax, ai nuk mund ta përballojë më një vend për të jetuar.
Kampingu i tij është njëri nga nëntë zonat e zgjedhura nga qyteti, ku njerëzit pa shtëpi mund të bëjnë kamping në vend të hapur ligjërisht. Zonat janë aprovuar këtë verë si të përkohshme, por disa argumentojnë se duhet të gjendet një zgjidhje më e mirë, teksa strehimoret janë të stërmbushura.
Rritja e numrit të të pastrehëve
Politika është miratuar nga të paktën një komunë tjetër në Kanada dhe po merret në konsideratë nga të tjerat, që gjithashtu po përballen me rritje të numrit të të pastrehëve.
Ndryshe në qytetet e tjera të Amerikës Veriore, oficerët e policisë i largojnë me dhunë kampingjet e të pastrehëve. Të ashtuquajturat “pastrime të rrugës” janë kritikuar si të dhunshme dhe joefektive në adresimin e krizës së strehimit.
Por ato janë duke u bërë gjithnjë e më popullore, meqë numri i të pastrehëve është rritur që nga pandemia. Kalifornia ka larguar më shumë se 12 mijë kampingje që nga viti 2001, ndërsa qytetet si Fresno, Kaliforni dhe Grants Pass, Oregon kanë kaluar ligjet që ndalojnë plotësisht kampingun në vendet publike.
Përkrahësit e ndalimit të kampeve thonë se kampingjet çojnë në trazira dhe se fondet duhet të shkojnë për t’i larguar njerëzit nga rrugët.
Në mesin e kritikuesve të qasjes së Halifaxit janë disa nga banorët e kampingjeve, që thonë se duan që burimet të shpenzohen në strehimore të përballueshme.
“Kanadaja është një nga vendet më të pasura e më të bukura ndonjëherë”, ka thënë Goodselli. “Ne kemi shumë tokë, shumë burime, por mund të jemi një nga vendet më koprrace në botë”.
Edhe pse disa qytete kanadeze, duke përfshirë Halifaxin, janë përpjekur t’i largojnë kampingjet e të pastrehëve në të kaluarën, vendimet e fundit të gjykatës në British Columbia dhe Ontario kanë vendosur që njerëzit pa shtëpi mund të bëjnë kamping, nëse nuk kanë vend të përshtatshëm për t’u strehuar.
Ndryshe nga kjo, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka vendosur në qershor, se qytetet mund të gjobisin ose arrestojnë personat e pastrehë, edhe nëse nuk ka vend ku ata të strehohen, duke i hapur rrugën kështu ndalimeve të kampingjeve në Kaliforni dhe Oregon.
Një tjetër ndryshim është rritja e njohjes në Kanada se qasjet e mëparshme kanë dështuar, thotë Stepan Wood, profesor i drejtësisë në Universitetin e British Colombia, i cili e ka studiuar çështjen.
“Qasja disa vjet më parë ka qenë t’i pastrojnë rrugët nga ata, por tani nuk mund të mohohet se kjo nuk e zgjidh problemin”, ka thënë Wood.
Baza kombëtare e të dhënave e Kanadasë vlerëson se ka rreth 235 mijë njerëz të pastrehë përgjatë vendit, edhe pse ekspertët argumentojnë se numri është më i lartë.
Këto të dhëna e vendosin shkallën e të pastrehëve në Kanada mbi atë të SHBA-së dhe Anglisë, sipas një krahasimi të të dhënave zyrtare. Globalisht, shumë qytete kanë përjetuar rritje të shkallës së të pastrehëve që nga pandemia.
Në vitin 2018, Halifaxi – qyteti më i madh në gjirin e Atlantikut të Kanadasë, me popullsi prej 518 mijë banorësh – ka pasur vetëm 18 njerëz që flinin në kushte të këqija, ka thënë Max Chauvin, drejtori për strehim dhe problemin e të pastrehëve në Halifax. Tani ka shkuar në mbi 200.
Teksa Halifaxi ka aprovuar nëntë zona të caktuara të kampingut, vetëm pesë prej tyre po funksionojnë. Secila ka një limit të mbi 10 tendave, por shumica janë mbi këtë kapacitet.
Qyteti u siguron vendeve tualete lëvizëse, ndërsa punonjësit e terrenit vijnë çdo javë për t’ju lënë ujë në shishe dhe për t’i kontrolluar njerëzit, kanë thënë banorët e kampit.
Ndonjëherë ata sjellin edhe gjëra që u nevojiten banorëve, si xhaketë, ose çanta më të ngrohta për fjetje gjatë kohës së dimrit.
Chauvin ka thënë se kampet e caktuara janë hapur, kur qyteti e ka kuptuar se ka mbetur pa opsione për t’i adresuar drejtpërdrejt krizat e strehimit.
Qyteti po e pret qeverinë provinciale për t’i nisur ndërtimet e strehimoreve të përballueshme. Nova Scotia nuk ka ndërtuar asnjë njësi të re të banimit publik që nga viti 1995.
Në ndërkohë, “pyetja e radhës është: ‘Ku do të shkojnë njerëzit?’” ka thënë Chauvin.
Ai beson se zgjidhja e krizës së strehimit do të jetë “ndodhia e dekadës” për qytetin e tij dhe qytetet e tjera.
“Një nga grupet më të mëdha të të pastrehëve që po shohim të rriten, janë thjesht njerëzit që nuk kanë para të mjaftueshme për ta paguar qiranë dhe kjo është e diçka e re”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo përfshin të moshuar, studentë dhe familje të tëra.
Chauvin vë në dukje gjithashtu mungesën e kujdesit të qasshëm mjekësor për njerëzit me sëmundje mentale dhe fizike.
Përkrahësit e zonave të caktuara thonë se vendet e parandalojnë kriminalizimin e njerëzve të pastrehë dhe e lejojnë qytetin t’i përqendrojë shërbimet e tij në terren.
“Vizion i ri, por edhe ndarës”
Prapëseprapë, politika e Halifaxit është edhe vizion i ri, por edhe ndarës.
Ishte pikë qendrore e zgjedhjeve për kryebashkiak të qytetit në tetor, ku fituesi ka premtuar t’i jepte fund zgjerimit të kampeve të caktuara dhe t’i largonte kampingjet e paligjshme.
Trish Purdy, këshilltare bashkiake, pa sukses ka luftuar për t’i larguar zonat e caktuara në distriktin e saj, pasi ka dëgjuar se zgjedhësit kishin frikë që kampi do ta rriste krimin dhe përdorimin e drogës në zonë.
Ajo ka vënë në dukje se çështja është sociale dhe moralisht komplekse, por ka thënë që beson se pranimi që njerëzit të jetojnë në “kushte të tmerrshme” nuk “është empatik ose i mëshirshëm”.
“Jam e sigurt se banorët që jetojnë afër ndonjërit nga kampingjet mund t’ju thonë se nuk kanë ndjerë empati dhe mëshirë, kur kampet janë vendosur në derën e shtëpisë së tyre”, ka thënë Purdy.
Një kamping i tillë në Dartmouth, periferi të Halifaxit, ndodhet ngjitur me një rresht të njësive të banimit publik, ku banorët ankohen për mbeturina të gjilpërave, dhunë dhe mosmarrëveshje me ata që jetojnë në kamp.
“Kjo ka qenë një fushë argëtuese ku fëmijët mund të luanin basketboll ose futboll”, ka thënë Clarissa, nënë e tre fëmijëve, që nuk ka dashur ta tregonte mbiemrin. “Tani nuk mund ta bëjmë dot atë, sepse jemi të shqetësuar mos shkelim në ndonjë gjilpërë”.
Clarissa ka thënë se ajo dhe fqinjët nuk janë konsultuar për kampingun dhe beson se kjo zonë është zgjedhur, për shkak të të ardhurave të ulëta të lagjes.
Por Ames Mathers, që jeton afër një kampi tjetër, i ka quajtur banorët fqinjët e saj.
“Është vërtetë e tmerrshme që disa njerëzve u duhet të jetojnë në parqe, si opsion i vetëm strehimi”, ka thënë ajo. “Ne jemi në mes të krizës së strehimit dhe provinca e qyteti po bëjnë gabime”.
Disa banorë të kampingjeve kanë thënë se i kanë mirëpritur, duke e ditur se do t’u kërkohej të largoheshin dikur. Por, shumë kanë thënë se ata vet nuk janë ndjerë të sigurt afër zonave.
Kjo gjithashtu ngrit pyetje rreth gatishmërisë së qeverisë për t’u gjetur strehim, duke thënë se kanë marrë më shumë ndihma nga vullnetarët sesa zyrtarët. Ata kanë vënë në dukje se ndërtesat e shumta me shumë kate janë në zhvillim e sipër në Halifax – ku asnjëra prej tyre, sipas tyre, nuk jenë të përballueshme.
“Ne do të donim të trajtoheshim si njerëz”, ka thënë Samantha Nickerson, që ka jetuar me të fejuarin, Trent Smith, në kampin e njëjtë si Goodselli. “Disa prej nesh po përpiqen shumë ta rikthejmë jetën dhe punën që kishim”.
Nickerson dhe Smith, që janë në të 30-at, kanë thënë se janë përballuar me dhunë nga banorët e tjerë dhe se janë ngacmuar verbalisht edhe nga banorë jashtë kampit.
“Ne e kuptojmë se kjo nuk është e bukur për syrin dhe se askush nuk e dëshiron”, ka thënë Nickerson. “Ne nuk duam të jemi këtu. Ne nuk duam të jemi në këtë situatë”.
Deri nga mesi i nëntorit, çifti është zhvendosur në një strehimore të përkohshme me ndihmën e vullnetarëve.
Goodselli dhe disa të tjerë mbeten akoma në zonë, e cila së fundmi u bë e pacaktuar, për shkak të shqetësimeve se do të ishte në rrugën e operacioneve të pastrimit të borës.
Ai ka thënë se nuk i është ofruar një strehimore dhe nuk dëshiron të largohet nga një kamping tjetër.
Ai e ka pajisur tendën e tij për dimrin e ashpër kanadez që po vjen, teksa i pret lajmet.
“Jashtë gjatë dimrit në një tendë nuk është e sigurt”, ka thënë ai. “Jam përgatitur sa kam mundur dhe e konsideroj veten më fatlum se disa”.