Me rritjen e çmimit të naftës deri në 245 lekë, një prej organizatorëve të protestave para kryeministrisë ka bërë thirrje për një tubim tjetër. Të martën në orën 17:00 sërish te Kryeministria, Lapaj kërkon që sa më shumë qytetarë t’i bashkohen për protestën e radhës, ndërsa kërkon një ndërhyrje akoma më të thelluar të qeverisë në treg. “Nëse nuk dalim, çmimet rriten” ka shkruar ai në posterin e publikuar në rrjetet sociale.
Në fakt, në ditët e para të protestave, kur mijëra qytetarë u tubuan para kryeministrisë në protestë kundër rritjes së çmimeve, kryeministri Rama reflektoi menjëherë. Ai ngriti bordet që do të monitoronin çmimet, hartoi një paketë në ndihmë të shtresave në nevojë dhe mblodhi tregtarët duke i paralajmëruar se do të kishin pasoja nëse abuzonin me çmimet.
Revolta e ditëve të para u shua ngadalë dhe ndërsa protestuesti “ranë në gjumë”, çmimet nisën të rriten sërish, ndërsa transparenca u fashit. Madje në ditën kur në media u njoftua rritja e çmimit të karburanteve, Bordi i Transparencës nuk dha asnjë njoftim për vendimet që kishte marrë. Prandaj dhe Lapaj shkruan në posterin e tij, se nëse qytetarët nuk dalin në rrugë, çmimet rriten.
Mesazhi i plotë i Lapajt:
“Personalisht besoj te tregu i lirë, por nuk kam asnjë dilemë për:
1. Në kohë krize qeveria minimumi që mund të bëjë është t’i vendos tavan fitimit të vetë nga barra fiskale që i vendos produkteve. Thënë ndryshe, nëse fitonte 93 lekë për litër para krizës nuk mund të fitojë 120 lekë për litër apo më shumë gjatë krizës;
2. Në kohë krize kufizohet sipas nenit 11 pika 3 të Kushtetuës marzhi i fitimit në sektorë e për produkte me rëndësi për vendin.
Bordet janë subjektiv. Ne na duhen parimet, jo bordet. Pra, shteti fikson formulën se si del çmimi e çmimi del pastaj sipas tregut.
Të martën ora 17.00 sërish te Kryeministria”



