Nga data 13 mars, platforma TikTok nuk do të jetë më aktive në Shqipëri, pasi do zbatohet vendimi i qeverisë për mbylljen e përkohshme të saj për 1 vit.
Lajmi konfirmohet nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), e cila ka kërkuar zyrtarisht mbylljen e aksesit në TikTok në Shqipëri në këtë datë, si dhe ka kërkuar nga kompanitë e internetit marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacion.
“Secili sipërmarrës (ISP), duhet te paraqese konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesit IP-ve dhe domaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025”, thuhet në kërkesën e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike drejtuar kompanive të Internetit.
Në Fletoren Zyrtare, sakaq, është publikuar vendimi për mbylljen e platformës në vend, ku sqarohet se mbyllja do të jetë për 1 vit derisa të mundësohet filtrat mbrojtëse nga ana e kompanisë së kësaj platforme.
Pasi të vendosen filtra të tilla, në VKM sqarohet më tej se mund të rishikohen masat e vendosura në fuqi dhe aksesin në platformë.
NJOFTIMI I AKSK
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) me shkresën nr. 1196 prot., datë 10.03.2025 (administruar në AKEP me nr. 359/2 prot., datë 10.03.2025), ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TIK TOK dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar, duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme:
Bllokimi i IP-ve të TikTok në territorin e Shqipërisë.
Bllokimi i DNS-ve te TikTok në territorin e Shqipërisë.
Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të TikTok në territorin e Shqipërisë.
Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë.
Në shkresën e AKSK-së citohet baza ligjore (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151 datë 6.3.2025) dhe listën e të gjitha IP-ve dhe domaineve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.
Bazuar në germën ç), të pikës 2 të nenit 30 të ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe germës e), pika 1, të nenit 9, si dhe pikës 9 të Aneksit E, të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë kufizimet e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga AKSK.
Për sa më lart, ju përcjellim shkresën e AKSK-së.
Gjithashtu, secili sipërmarrës (ISP), duhet te paraqese konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesit IP-ve dhe domaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025.
VENDIM
Nr. 151, datë 6.3.2025 PËR MARRJEN E MASAVE TË PËRKOHSHME PËR SHMANGIEN E NDIKIMEVE NEGATIVE TË PLATFORMËS ON-LINE “TIKTOK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, 26, pika 1, 139, pika, 2, 174 e 177, pika 5, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 32, pika 4, 32/1, 42 e 46, të ligjit nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Arsimit dhe Sportit, të ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Ndërprerjen e aksesit në platformën on-line “TikTok” në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj, me qëllim shmangien e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale në tërësi, kryesisht në nxitjen e dhunës, veçanërisht te fëmijët, që sjellin probleme të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Ndërprerja e platformës on-line “TikTok” zgjat deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta.
3. Caktimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me autoritetet rregullatore sektoriale e nëpërmjet tyre, si dhe autoritetet e tjera, që përfshihen në këtë proces, për të komunikuar e negociuar me përfaqësuesit e platformës on-line “TikTok”, dhe me përfaqësues të platformave të tjera on-line, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital, duke përfshirë:
a) operimin efektiv të sistemeve funksionale të verifikimit të moshës së përdoruesve të platformës;
b) operimit të sistemeve të kontrollit prindëror lidhur me përmbajtjet, që dëmtojnë zhvillimin fizik, psikologjik ose moral të fëmijëve;
c) shmangien e publikimit të materialeve me përmbajtje dhune, bullizmi, gjuhe urrejtjeje apo me fjalor të papërshtatshëm;
ç) përshtatjen e përdorimin e filtrave të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare.
4. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, të marrë masat e nevojshme për realizimin e ndërprerjes së aksesit të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.
5. Pasi të realizohet nga platforma on-line “TikTok” vendosja e filtrave të nevojshëm, mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe autoritetet rregullatore sektoriale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. ZËVENDËSKRYEMINISTËR Belinda Balluku