Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë është përkrahur vendimi që të gjitha institucionet publike dhe private të organizojnë punën me stafin e tyre duke respektuar distancën ose online nga shtëpitë e tyre.
Ministri Armend Zemaj tha se kjo bëhet me rekomandim të IKShPK-së, ku shtoi se të gjithë institucionet publike e private obligohen të shtojnë kontrollet rigoroze për bartje të maskave.
“Jo vetëm për shkak të urgjencës, por për shkak që MSH-ja në vazhdimësi është duke mbikëqyrur situatën epidemiologjike, duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi pasur një rritje në institucionet publike dhe private, me qëllim të parandalimit IKSHPK-ja na ka rekomanduar që të përkrahim vendimin që të gjitha institucionet publike dhe private detyrohen që të organizojnë punën në distancë fizike apo nga shtëpitë e tyre që nënkupton reduktimin e stafit. Të gjitha institucionet obligohen të shtojnë kontrollet në hyrje të çdo institucioni. Të gjitha institucionet detyrohen të organizojnë punën në përputhje me manualin. Obligohen institucionet që të ndërmarrin vendimet sipas manualit. Ky vendim kërkojë që të hyjë në fuqi në ditën e nënshkrimit”, ka thënë Zemaj.
Kryeministri Avdullah Hoti tha se ky vendim bëhet i obligueshëm.