Është liruar nga burgu ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. GJKKO ka vendosur ndaj tij masën “arrest shtëpie”.
Ilir Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024, për abuzimin me fondet e BE.
Gazeta Shqiptare mëson se kërkesa Beqajt për heqjen e masës së arrestit me burg, bazohej në pretendimin për tejkalim të afateve të paraburgimit. Ndërkohë që një ditë më parë gjykata ndryshoi masën e sigurisë edhe për të dyshuarin tjetër, Ermal Kurtulaj, i cili është pjesë e dosjes së SASPAC.
Avokati i Beqajt ka sqaruar procedurën që ka çuar deri në vendimin e gjykatës.
“Për disa orë do të ekzekutohet dhe sot Beqaj do të jetë në shtëpi. Kërkesa ishte për shuarjen e afateve të paraburgimit. Gjykata mori më datë 27 korrik për kthimin pas të akteve të dosjes së prokurorisë dhe kjo bashkon afatet e hetimit paraprak dhe ato të seancës paraprake, ndaj shuhen afatet, sepse ka kaluar një periudhë e gjatë nga paraburgimi”, tha ai.
Vendimi:
Kërkuesi, i pandehuri Ilir Beqaj me datë 30.07.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konstatimi i humbjes së fuqisë së paraburgimit dhe shuarja e masës së sigurimit “arrest në burg”; lirimi i menjëhershëm; subsidarisht caktimi i një mase më të butë sigurimi.”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, me vendimin nr. 550, datë 31.07.2026, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Konstatimin e humbjes së fuqisë së masës së sigurimit “Arresti në burg”, caktuar ndaj të pandehurit Ilir Beqaj me anë të vendimit me Nr. 65, datë 03.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, për shkak të kalimit të afatit të paraburgimit.
3. Caktimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Ilir Beqaj.
4. Urdhërohet i pandehuri Ilir Beqaj të mos largohet nga banesa e tij, e ndodhur në ****, Rruga ****, Pallati ****, sheshi **** ap. ****.
5. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Ilir Beqaj nëse nuk mbahet i dënuar, i arrestuar apo i ndaluar për ndonjë vepër tjetër penale.
6. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia Gjyqësore për ndjekjen edhe zbatimin e këtij vendimi.
7. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.



