Janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy 18-vjeçarët që qëlluar me armë zjarri ndaj 51-vjeçarit Marketin Marku, pas një sherri mes tyre për xhirimin e gomave.
Blutë shpallën në kërkim të rinjtë Roeni Noka dhe Oligert Ndreca, banues në lagjen “Zef Hoti”, Mamurras të Kurbinit.
Ata dyshohet se kanë plagosur 51-vjeçarin me armë zjarri në dorë për motive të dobëta, në rrugë, dhe më pas janë larguar nga vendngjarja, me një automjet që është gjetur në banesën e Oligert Ndrecës, dhe është sekuestruar me cilësinë e provës materiale.
I plagosuri vijon të jetë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmë, sqarojmë se nga verifikimet rezultoi se i plagosur me armë zjarri, në dorë, ishte shtetasi M. M., 51 vjeç.
Gjithashtu, informojmë se pas veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe ato të DVP Lezhë, me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe autorësisë së këtij rasti, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. N. dhe O. N., secili 18 vjeç dhe banues në Mamurras, të cilët dyshohet se e kanë plagosur 51-vjeçarin, me armë zjarri, për motive të dobëta, në rrugë, në Mamurras, dhe më pas janë larguar nga vendngjarja, me një automjet që është gjetur në banesën e shtetasit O. N., dhe është sekuestruar me cilësinë e provës materiale.
I dëmtuari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Punohet intensivisht për kapjen e 2 shtetasve, si dhe për individualizimin e përgjegjësisë së tyre penale.


