I braktisur nga të gjithë dhe i pashoqëruar nga asnjë familjar, 80-vjeçari Shefit Rrapaj, autor i vrasjes së bashkëshortes së tij, Dashurie Rrapaj, 75 vjeçe, tre ditë më parë në Kuman të Roskovecit, dhe më pas vetëvrasjes, është përcjellë në banesën e fundit nga punonjësit e shërbimeve komunale të Bashkisë Roskovec.
Sipas drejtorit të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike pranë kësaj bashkie, Arben Duka, negociatat e policisë me familjarët për të tërhequr trupin nuk dhanë asnjë rezultat, ndaj në bazë të ligjit ceremonia mortore u krye nga bashkia.
Ndërkohë që Dashurie Rrapaj u përcoll në banesën e fundit në fshatin Allambreas të Beratit, në vendlindjen e saj, bashkëshorti vrasës u braktis nga të gjithë, pa asnjë lot e asnjë lule në varrin e tij.
Vëllai i saj, u shpreh dje se “nuk i interesonte fare se ku do varrosej Shefiti, në ndonjë kanal të thellë apo që ta hanin qentë”, por konfirmoi se motrën do e varrosnin në vendlindje.
Sipas tij, 80-vjeçari ishte person problematik dhe grindej gjithnjë. Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për dinamikën dhe shkaqet e krimit të dyfishtë.


