Policia e Tiranës ka bërë të mundur identifikimin e një personi të dyshuar se ka qëlluar me armë zjarri në një ambient festiv në kryeqytet, orët e para të mëngjesit të 1 Janarit.
Policia raporton se ngjarja ka ndodhur në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” , ku fatmirësisht nuk ka pasur asnjë person të lënduar.
Blutë bëjnë me dije se pas ngjarjes u shoqëruan dhe pyetën në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas, të cilët dhanë deklaratën e tyre në lidhje me ngjarjen.
“Në vijim të hetimeve dhe i këqyrjes së kamerave, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër, por për arsye se hetimi vijon nuk bëjmë me dije gjeneralitet e tij”, thotë policia.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” me datë 01.01.2024, në orët e para të mëngjesit, menjëherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve intensive shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, shoqëruan dhe pyetën në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët dhanë deklaratën e tyre në lidhje me ngjarjen.
Po në vijim të veprimeve si rezultat dhe i këqyrjes së kamerave, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Për arsye se hetimi vijon nuk bëjmë me dije gjeneralitet e tij. Nga ngjarja nuk ka pasur asnjë person të lënduar.
Komisariati i Policisë Nr.2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punojnë për dokumentimin e plotë e ngjarjes si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorit të dyshuar.