Gjykata e Lartë do të shqyrtojë sot kërkesën e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, për lirimin nga masa e sigurisë “arrest në burg”. Seanca është planifikuar të zhvillohet në orën 12:00 në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve, me relatore gjyqtaren Albana Boksi dhe anëtarë gjyqtarët Medi Bici dhe Sokol Binaj.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt nën akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në kuadër të një hetimi të nisur nga SPAK. Më 17 qershor, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) rrëzoi kërkesën e tij për zëvendësimin e masës me garanci pasurore, duke lënë në fuqi masën “arrest në burg”.
Në të njëjtën datë, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë edhe rekursin e biznesmenit Elman Abule, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe akuzohet për pastrim parash në të njëjtën dosje me Veliajn.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, përveç Veliajt, nën hetim dhe të akuzuar janë edhe familjarë të tij, si dhe disa biznesmenë të përfshirë në kontrata të dyshimta me Bashkinë e Tiranës.