Naftëtarët e Marinzës vijojnë grevën e urisë për të tretën ditë me radhë, ku të vendosur thonë se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre derisa kompania “Bankers Petroleum” të plotësojë të gjitha kërkesat e tyre.
Ndër kërkesat kryesore që punonjësit parashtrojnë është njohja e “Statusit të naftëtarit” nga kompania “Bankers Petroleum”, status i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe i publikuar në Fletoren Zyrtare më 23 shkurt 2017, por që sipas tyre asnjëherë nuk ka gjetur zbatim.
“Statusi i naftëtarit” parashikon të rregullojë pozitën juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, të drejtat dhe detyrimet e punonjësve dhe ish-punonjësve të industrisë së naftës e të gazit për arsye të karakterit të veçantë të punës dhe ndikimin e saj në shëndet, si dhe ofron garanci ligjore për zbatimin e tyre nga punëdhënësi.
Nga mosrritja e pagave, te mohimi i dhënies së pagave suplementare në rast të pensionimit të parakohshëm, punonjësit rendisin disa nga të drejtat e tyre që nuk zbatohen, si pasojë e mospasjes së statusit të naftëtarit.
“Ne po mundohemi, por kemi edhe frikë. Po të kërkosh dalje të parakohshme në pension nuk të jep rrogat suplementare që përcaktohen sipas vjetërsisë së punës. Unë kam 22 vite pune dhe më takojnë 11 paga suplementare.”
Rajmond Rrapushaj prej 22 vitesh punon si operator i dytë dhe është trajtuar disa herë në spital, me karbon në gjak. Ai thotë se shpenzimet për trajtimin shëndetësor i ka paguar vet. Nëse do të përfitonin statusin e naftëtarit, neni 16 parashikon se në rast sëmundjesh që vërtetohet se vijnë direkt ose indirekt nga puna në industrinë e naftës e të gazit, përfituesit e statusit të naftëtarit përfitojnë kurim falas në institucionet publike apo private që janë në marrëdhënie me Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
“Jam operator i dytë, ndër operatorët më të mirë këtu. Kam qenë dy muaj i shtruar në spital me karbon në gjak, si pasojë e gazrave që emetohen në vendburimin e naftës. Edhe pse qëndrova dy muaj në spital nuk kam pasur asnjëlloj ndihme nga “Bankers”. Për këtë gjë vazhdoj ende të marr ilaçe dhe nuk të thonë as “Të shkuara”. Kam kërkuar të punoj vetëm me një turn, edhe kjo kërkesë u refuzua brutalisht.”
Me detyrë inspektor i përgjithshëm i puseve në vendburim, Saimir Beraj thotë se kushtet e punës janë tepër të vështira, për shkak të ndotjes dhe rrugëve të pakalueshme nga njëri pus në tjetrin.
“Kam në listë për të kontrolluar 1500 puse, pothuajse të gjithë vendburimin. Bëj kontrollin fizik të grykave, jam i detyruar të shkoj për të fotografuar çdo pus. Problemi qëndron te vështirësia, kushtet, rrugët. Hallakatemi gjithë ditën, kam 20 vite punë, jam i pakënaqur. Gazi do ta bëjnë të vetën, duhet të punojmë, të ushqehemi.”
Naftëtarët e Marinzës thonë se ato pak të drejta që gëzojnë i kanë fituar vetëm përmes protestave, ndaj u bëjnë thirrje autoriteteve shtetërore të ndërhyjnë për zgjidhjen e kësaj problematike që vijon prej dekadash.