Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka regjistruar një procedim penal për veprën penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, në lidhje me publikimin në media dhe portale të një videoje të ndjeshme që lidhet me ngjarjen tragjike në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli”, ku humbi jetën i mituri Martin Cani.
Videoja, e cila u shpërnda dy ditë më parë, përmban pamje filmike të datës 18 nëntor 2024 dhe shfaq disa të mitur të përfshirë në konfliktin që i parapriu ngjarjes së rëndë, së bashku me gjeneralitetet e tyre.
Sipas Prokurorisë, pamjet e publikuara përputhen plotësisht me materialet filmike të administruara si prova në fashikullin hetimor, të cilat janë siguruar përmes kamerave të sigurisë që mbulojnë zonën ku ndodhi ngjarja.
Prokuroria sqaron se pamjet filmike i janë dorëzuar më herët avokatit të familjes së viktimës, në përputhje me procedurat ligjore dhe kundrejt një deklarate për mospublikimin e tyre.
Çështja ndodhet aktualisht në gjykim në themel në Gjykatën e Tiranës dhe po zhvillohet me dyer të mbyllura, për shkak të përfshirjes së të miturve si të pandehur, viktimë dhe dëshmitarë.
Njoftimi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë regjistroi procedim penal për veprën penale ‘Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’ parashikuar 295/a pas publikimit në media dhe portale të ndryshme të një video mbi ngjarjen në shkollën 9-vjeçare ‘Fan Noli’, ku humbi jetën i mituri M.C.
Video e publikuar në disa media përmban pamje filmike të datës 18.11.2024, ku shfaqen të miturit me etiketimet e gjeneraliteteve të tyre përkrah secilit.
Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera në lidhje më këtë procedim, janë administruar në cilësinë e provës materiale edhe një CD me pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që kanë fushëpamje në rrugën ku kanë kaluar të miturit drejt vendit të ngjarjes, veprim i cili është dokumentuar me procesverbalin për këqyrje dhe marrje të provës materiale nga ana e policisë gjyqësore.
Pamjet filmike, që u publikuan dy ditë më parë në media e shpërndarë edhe në disa portale on-line, përmbajnë të njëjtat pamje filmike që ndodhen edhe në CD-në që u administrua në fashikullin hetimor.
Në përfundim të hetimeve, CD-në me pamjet filmike të disponuara nga prokuroria, i janë vënë në dispozicion mbrojtësit të familjarëve të viktimës, avokatit, i cili e ka marrë atë dhe të gjitha aktet e fashikullit, kundrejt nënëshkrimit të deklaratës për mospublikimin e saj.
Kjo çështje aktualisht është në gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku po zhvillohet gjykimi në themel me dyer të mbyllura.
Konstatohet se në rastin konkret, me publikimin e videos, janë shkelur të dy detyrimet e parashikuara në nenin 103/1, 2 të Kodit të Procedurës Penale pasi janë publikuar prova (video) që janë akte të shqyrtimit gjyqësor me dyer të mbyllura si dhe janë publikuar me video, foto dhe gjeneralitete të pandehur, viktima dhe dëshmitarë të mitur të kësaj çështjeje.
Nisur sa më sipër, ka të dhëna të mjaftueshme se janë konsumuar elementët e figurës së veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal.