Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik më 14 gusht, kur 14-vjeçari Erald Xhejo u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Enedio Guri, në fshatin Pirg të Maliqit.
Dy adoleshentët ishin takuar rastësisht në ambientet e një lokali, të shoqëruar nga shokët e tyre. Konflikti nisi fillimisht me një shkëmbim fjalësh të tipit “pse më shikon?”, por, sipas hetimeve paraprake, përplasja mes tyre ishte e vjetër dhe e pazgjidhur prej më shumë se një viti.
Sipas burimeve policore, Enedio Guri mbante me vete një thikë, të cilën e përdori gjatë konfliktit, duke goditur Eraldin me një goditje të vetme në zonën e zemrës. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmon se kjo ishte goditja fatale që i mori jetën 14-vjeçarit.
Autori tentoi të arratisej, ndërsa xhaxhai i tij fshiu provat
Menjëherë pas krimit, Enedio Guri tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes me makinë. Ndërkohë, xhaxhai i tij, Roland Guri, ka marrë thikën, e ka larë dhe fshehur, duke penguar hetimet. Të dy janë vënë në pranga, bashkë me babanë e autorit dhe katër të mitur të tjerë që ishin të pranishëm në momentin e ngjarjes.
Dëshmia e autorit pritet sot
Derimë tani, Enedio ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe nuk është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Dëshmia e tij pritet të merret sot (15 gusht), në praninë e avokatit, psikologut dhe familjarëve, ndërsa ndaj tij rëndon akuza “vrasje me dashje”.