Parakalimi me makinë është bërë shkak i plagosjes me armë zjarri të një 37-vjeçari në Berat, të identifikuar si Fabjel Toska (Xhindi).
Mësohet se 37-vjeçari Toska po udhëtonte me një shok me makinë, kur është parakaluar nga një automjet, të cilit i kanë bërë shenjë me drita të ndalonte.
Toska zbret nga automjeti dhe shkon në xhamin e shoferit të automjetit që i parakaloi. Kështu ka nisur edhe konflikti që coi në plagosjen e tij me një plumb në bark.
Berat/Informacion paraprak
Rreth orës 00:55, është dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasi F. T. (Xh)., 37 vjeç, banues në Berat, i plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, në hyrje të qytetit.
37-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.


