Zbardhen detaje të reja nga atentati i rëndë i ndodhur më 26 prill në Balldren të Lezhë, ku u ekzekutuan bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci. Hetimet kanë çuar në zbulimin e automjetit të përdorur nga autorët, si dhe në sekuestrimin e provave të rëndësishme që mund të ndihmojnë në dokumentimin e plotë të krimit.
Sipas Policisë, në fshatin Torovicë është gjetur dhe sekuestruar një automjet tip Volkswagen Polo, pa targa, i cili dyshohet se është përdorur në atentat. Gjatë kontrollit në brendësi të mjetit janë gjetur dy gëzhoja model 56, ndërsa automjeti rezulton me xham të pasmë dhe pjesë anësore të dëmtuara.
Në të njëjtin ambient është konstatuar edhe një automjet tjetër identik, por me targa të rregullta, në pronësi të shtetasit B. K., çka forcon dyshimet se është përdorur për të maskuar gjurmët e krimit. Në oborrin e banesës janë gjetur gjithashtu rrobat e përdorura nga autorët gjatë atentatit, si dhe një palë targa.
Nga hetimet paraprake rezulton se shtetasi Florin Mhillaj ka marrë automjetin që motra e tij e kishte marrë me qira në zonën e Rinasit. Pasi i ka hequr targat, në bashkëpunim me një tjetër person të shpallur në kërkim, ai dyshohet se e ka përdorur mjetin për t’u prerë rrugën viktimave dhe për të qëlluar ndaj tyre.
Pas kryerjes së krimit, automjeti është fshehur në banesën e shtetasit B. K., duke u mbuluar me bar me qëllim humbjen e gjurmëve. Policia ka shpallur në kërkim 22-vjeçarin B. K., i dyshuar për “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “mbajtje pa leje të armëve”, ndërsa është proceduar penalisht edhe babai i tij, N. K., 79 vjeç.
Njoftimi i policisë:
Lezhë
Vijojnë intensivisht veprimet hetimore për gjetjen dhe sekuestrimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren.
Ndërkohë, vijojnë kontrolle intensive për kapjen e autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim dhe të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Gjendet dhe sekuestrohet automjeti tip “Volkswagen Polo”, nga i cili autorët qëlluan me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit K. M. dhe G. M..
Gjithashtu, gjenden dhe sekuestrohen veshjet e autorëve, në momentin e kryerjes së krimit, si dhe një palë targa.
Shpallet në kërkim një shtetas dhe procedohet penalisht babai i tij.
Në vijim të veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, që janë kryer dhe vijojnë të kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, për sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren, Lezhë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit K. M. dhe G. M., bashkëshortë, mesditën e sotme, në fshatin Torovicë, në banesën e shtetasit B. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar automjetin tip “Volkswagen Polo”, pa targa, të përdorur nga autorët.
Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 2 gëzhoja model 56, dhe nga këqyrja, rezultoi se automjeti ka të thyer xhamin e pasmë dhe trekëndëshat anësorë të dyerve.
Gjithashtu, në oborrin e banesës së shtetasit B. K., u gjet një automjet identik me automjetin e parë, në pronësi të shtetasit B. K., por me targa.
Më tej, gjatë kontrollit, u gjetën dhe veshjet e përdorura nga autorët, në momentin e kryerjes së krimit.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi F. M. ka marrë automjetin tip “Volkswagen Polo” (të cilin motra e tij e kishte marrë me qira, në Rinas), i ka hequr targat dhe në bashkëpunim me njërin nga 2 shtetasit e shpallur në kërkim, e kanë përdorur për t’i prerë rrugën dhe për të qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit K. M. dhe G. M.. Pas krimit, e ka çuar automjetin, në banesën e shtetasit B. K., dhe e ka fshehur duke e mbuluar me bar, me qëllim humbjen e gjurmëve, gjithashtu me pretendimin se automjetin e tij, shtetasi B. K. e kishte identik dhe të rregullt.
Në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim shtetasi B. K., 22 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për babanë e 22-vjeçarit, shtetasin N. K., 79 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet në terren, për lokalizmin dhe kapjen e autorëve, si dhe të shtetasit të shpallur në kërkim mesditën e sotme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.


