Policia ka bërë të ditur marrë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për mbarëvajtjen e protestës së nesërme të opozitës në ora 17:00 përballë kryeministrisë. Për këtë arsye, do të ketë kufizime të qarkullimit dhe ndalim parkimi në disa akse kryesore të kryeqytetit, që nga sot dhe gjatë ditës së nesërme.
Sipas njoftimit, nga ora 23:45 e mbrëmjes së sotme do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”, deri në përfundim të protestës.
Ndërkohë, nesër nga ora 15:00 dhe deri në mbyllje të tubimit, do të bllokohet qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia paralajmëron se, në varësi të situatës, mund të ketë bllokime edhe në rrugë të tjera, ndërsa qarkullimi do të devijohet në akse alternative për të shmangur trafikun.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/ Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi ditën e nesërme, i cili nis në orën 17:00 para Kryeministrisë.
Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme dhe të nesërme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 23:45, të ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”,
-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, i bejmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kunderligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.


