Pas protestave 3-ditore të qytetarëve në mbarë vendin kundër rritjes së çmimit të naftës dhe produkteve të tjera, paraditen e sotme radhën e kanë pasur taksistët e të gjithë Shqipërisë, të cilët janë mbledhur para Kryeministrisë.
Ata kërkojnë heqjen e akcizës për karburantet, uljen e çmimit të naftës dhe mosdhënien e licencave pa kriter.
‘Problemi ynë është liberalizmi dhe konkurrenca e pandershme. Shteti duhet të reagojë i kemi dhënë votën. Të lejohet kthimi i pasagjerëve. ‘- thotë një prej tyre.
Shoferët e autobusëve të shkollave në Fier në protestë: Do fikim makinat të martën!
Në protesta janë ngritur gjithashtu edhe shoferët e autobusëve të shkollave në Fier, të cilët kanë paralajmëruar bojkot nëse bashkia nuk u siguron një zgjedhje.
Ata njoftuan gjithashtu se, të martën do të fikin automjetet dhe nuk do të dërgojnë asnjë fëmijë në shkollë.
Sipas tyre, kanë aplikuar për autorizme për t’u futur në qytetet në orare të caktuara, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Nuk lejohen autobusat e nxënësve. Kanë muaj na janë qepur, nuk thonë çfarë problemi kanë. Ne punojmë me të keq, me gjoba, ditë për ditë. Të martën nuk del asnjë makinë në rrugë. Bëhet fjalë për të paktën 100 shoferë nga ndërmarrje të ndryshme që kërkojnë zgjidhje. Duam orar që kur të marrim nxënësit të hyjmë e të dalim në qytet. Nuk na sqarojnë, vetëm vendosin gjoba. S’kemi asnjë përgjigje. Po na rëndon nafta, por edhe këta.”, shprehen ata.



