Gjykata e Tiranës ka marrë sot (3 mars) vendimin për 4 protestuesit e arrestuar të opozitës, pas tubimit kombëtar të 28 shkurtit në kryeqytet.
Pas një seance me dyer të mbyllura, gjyqtari i gatshëm vendosi të lironte të arrestuarit nga Policia për sulm me molotov, lëndë djegëse dhe shkatërrime, duke vendosur masën “detyrim paraqitjeje”.
Gjatë protestës u sulmua edhe vila e ish-diktatorit Enver Hoxha në ish-Bllok, sikurse pati grumbullime te Policia e Shtetit dhe e Tiranës.
Gjatë hedhjes së molotovëve në “Vilën 31”, pati brenda edhe turistë të huaj, por jo të lënduar. Dëmet ishin materiale.
Përfaqësuesit e opozitës deklaruan se nuk kishin dijeni për praninë e shtetasve të huaj në vilë, por patën informacione se aty do të mbante një takim kryeministri Edi Rama me kryepolicin Ilir Proda dhe kjo solli revoltën qytetare.
Nuk munguan edhe reagimet e ndërkombëtarëve, ku selitë diplomatike në Tiranë dënuan aktet e dhunës, por mbështetën protestat si një e drejtë themelore.


