Tre shtetas italianë janë mes gjashtë personave të proceduar penalisht pas protestës së 8 majit të organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, ku u pati edhe përplasje me policinë.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se sipas hetimeve paraprake, autoritetet kanë provuar përfshirjen e tyre në akte dhune ndaj efektivëve, megjithatë ata nuk dyshohet se kanë marrë pjesë në hedhjen e molotovëve.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se shtetasit e huaj janë marrë në pyetje nga hetuesit, por kanë refuzuar të japin shpjegime lidhur me arsyet e përfshirjes së tyre në protestë dhe mënyrën se si u bënë pjesë e tubimit.
Në total, për incidentet e ndodhura gjatë protestës janë proceduar gjashtë persona, të dyshuar për dhunë ndaj policisë dhe përdorim të mjeteve molotov në drejtim të forcave të rendit.
Hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes vijojnë ende.


