Dy hajdutë shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane, pasi grabitën një banesë. Sipas mediave italiane, dy të rinjtë 23 dhe 30 vjeç u futën të qetë në katin e dytë të një shtëpie. Ata kishin marrë informacionet më parë, se pronari i banesës ishte me pushime.
Ngjarja ka ndodhur mesnatën e 1 shtatorit në zonën Torre Spaccata në Romë, kur dy hajdutët ‘akrobatë’ u pikasën nga fqinjët të cilët njoftuan policinë.
Ata u ngjitën nga tarraca e banesës, me pas duke hapur grilat u futën brenda dhe morën disa sende me vlerë. Pasi arritën objektivin e tyre, ata kishin marrë masa për të zbritur nga ballkoni me një litar 25 metra të gjatë.
Kur mbërriti policia, njëri prej tyre kishte zbritur, ndërsa personi tjetër mbeti i bllokuar brenda banesës.
Fillimisht policia arrestoi 30-vjeçarin i cili kishte mundur të dilte nga shtëpia, më pas 23-vjeçarin që kishte mbetur në tarracë.
Pas arrestimit, policia sekuestroi sendet e vjedhura dhe dy çanta shpine, ku brenda ishin edhe sendet që u përdorën për të kryer vjedhjen, një dërrasë, litar dhe disa kaçavida.
Dy të rinjtë u dërguan në qeli në pritje për të dalë para gjykatës.



