Gazetari dhe studiuesi, Roland Qafoku ka promovuar librin e tij të ri, “100 personalitetet më të spikatura të Skraparit”.
Në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit, gazetari Qafoku ka prezantuar disa nga personat e spikatura të Skraparit që kanë lënë gjurmë në historinë e vendit, po ashtu janë evidentuar në fusha të ndryshme, si në letërsi, media, biznes apo edhe në kulturë.
“Unë prej vitesh kisha menduar të jepja një kontribut sado modest për Skraparin. Ai vend që ne e quajmë si një xhep gjeografik, në fakt mua nuk më rezultonte të ishte kështu në histori. Më bënte përshtypje se në ato pak kilometra katrorë që ka ajo krahinë, në një terren tërësisht të pakëta jetese, në çdo periudhë, në çdo kohë në çdo regjim kishte prodhuar figura.
Nga kryengritës ndaj Osmanëve, tek arkitektë e perandorë, nga rilindas të mirëfilltë, te mësues që i mësonin fëmijëve gjuhën shqipe. Nga luftëtarë që nuk e hoqën armën nga dora, te mendjet e arsimuar në universitetet më të mira europiane. Nga Kryeministra e Ministra deri te President. Më të vërtetë nuk ka asnjë krahinë tjetër të Shqipërisë , këtë “fabrikë” që ka prodhuar kaq shumë figura kombëtare. Kjo më ka bërë që të vendosja bashkë 100 skraparllinj në një libër”, u shpreh studiuesi Roland Qafoku.
PERSONALITET E SPIKATURA
Roland Qafoku gjatë prezantimit të tij ka paraqitur disa nga personalitetet e Skraparit, filluar nga figurat e para luftës, si Hamza Bej Hërmshi, Dervish Iljaz Qafoku, Xhelal Koprenca, Mane Nëshova dhe Riza Cerova.
Ndërkohë që nuk ka munguar dhe Ilir Meta që sipas Qafokut ka mbajtur postet më të larta të shtetit. Në librin e tij me “100 personalitetet e spikatura të Skraparit”, Qafoku ka prezantuar dhe Dashnor Dervishin, diplomatin e shquar. Po ashtu dhe shkrimtarët e njohur, si Xhevahir Spahiu dhe Visar Zhiti.
Nga ana tjetër, ka veçuar dhe Presidentin e “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu, pronarin e mediave më të rëndësishme në Shqipëri, News24 dhe Gazetës Panorama.
Në libër një vend i veçantë i është kushtuar sopranos me famë botërore, Ermonela Jaho, gazetares, Ilva Tares dhe analistit dhe tashme diplomatit, Mustafa Nano, personalitete të Skraparit.
EMRAT DHE HISTORIKU
Hamza Bej Grëmshi- Unë jam shumë krenar që këtë figurë e kam zbuluar dhe që është gjyshi i gjyshërve të vëllezërve Frashëri.
Dërvish Iljaz Qafoku – Kleriku Bektashi nga më të njohurit në Shqipëri, themeluesi i Teqesë së Kulmakut, ishte ai që ktheu ritin dhe pelegrinazhin në Malin e Tomorrit. E ktheu për të gjithë Shqiptarët pavarësisht se është i besimit bektashi, por edhe të besimeve të tjera. Është autori i atij pelegrinazhi.
Xhelal Koprenca – Është një njeri që të gjithë duhet ta nderojmë, për atë që ai ka bërë, por edhe për atë që ne nuk kem bërë për të. Është një nga 40 firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë më 28 nëntor 1812. Ishte delegat në Kuvendin e Vlorës dhe një nga ata pak senator që u zgjodhën në Kuvendin e Vlorës. Një nga mendjet më të ndritura dhe më përfaqësuese të Skraparit.
Mane Nëshova – Përfaqësues i luftës së Spanjës në vitet ‘30 dhe pjesëtar i rezidencës edhe gjatë luftës së Dytë Botërore.
Riza Cerova- Një simbol për Skraparin, por në libër vjen me histori të reja. Ne Riza Cerovën e imagjinonim vetëm më një armë në krahë, në fakt ai ishte një gazetar dhe më tepër një sponsorizues i artit dhe kulturës.
Kahreman Ylli– Një nga figurat dhe personalitetet me të larta që ka nxjerr Skrapari, ministër, ambasador. Rektor i Universitetit të Tiranës. Ai vjen në këtë libër me historinë e rrallë, në vitin ’43 ka rënë një avion në Belsh të Elbasanit. Shumë pak vetë e dinë që 13 vajza, infermiere amerikane u strehuan në 11 fshatra të Skraparit dhe Kahreman Ylli na ndërton sot dhe i themi faleminderit për atë që ka bërë populli i Skraparit që i strehoi ato vajza, i mbajtën në shtëpi dhe nuk e mori vesh njëri.
Dashnor Dervishi- I pari ambasador i Shqipërisë, që mori dhe gradën ambasador. Një nga mendjet më të ndritura të diplomacisë shqiptare. Ambasador në dy sisteme, në atë komunist dhe pas rrëzimit të tij. Dashnor Dervishin është një produkt nga më të lartët që ka nxjerr Skrapari.
Demir Zyka – Simboli i folklorit të Skraparit në nivel kombëtar. Zëri i tij për tenori mbetet dhe sot i ka konkurrueshëm.
Ganimet Vëndresha – Ishte themeluesi e Teatrit Operës dhe Baletit. Prima Balerina, kjo është një krenari e Skraparit, por edhe të gjithë Shqipërisë.
Visar Zhiti – Poeti dhe shkrimtari aq i dashur për ne, por që diktatura e arrestoi dhe e dënoi me burg në Spaç. Pavarësisht shumë dhimbjeve që pati në jetë ai mbeti një skraparlli i paepur dhe një shkrimtar i nivelit të lartë.
Xhevahir Spahiu- Ikona e poezisë shqiptare shqipe që kemi mes nesh dhe jemi me fat që e kemi. Produkti më sipëror që ka nxjerr Skrapari në fushën e letërsisë. Poezie e tij ka patur një rregull; në pak vargje, baraz me 10 romane.
Ermonela Jaho- Fenomeni më sipëror që ka nxjerr Skrapari, diva e muzikës klasike operistike që ka nxjerr Skrapari. Është krenaria e Skraparit me zërin e saj hyjnor.
Ilir Meta – Sekretar Shtetit, Ministër, Kryeministër, Kryetar Kuvendi, President i Republikës. Mbetet politikani që ka mbajtur detyrat më të larta dhe të rëndësishme të shtetin shqiptar.
Ilva Tare- Një nga gazetarët me të suksesshme në Shqipëri, vajza me origjina nga fshati Valë, ruan një lidhje të ngushtë me Skraparin.
Irfan Hysenbelliu – Një nga pronarët e mediave më të rëndësishme në Shqipëri. Si televizioni Neës24 dhe Gazetës më të madhe në vend “Panorama”. Pa diskutim, quhet, jo se e quaj unë: “Berlusconi shqiptar”!
Mustafa Nano – Një nga penat më të mira të gazetarisë në Shqipëri, autori i disa librave dhe tani më diplomat.
DIPLOMACIA DHE LIBRI I ROLAND QAFOKUT
Gjatë fjalës së tij, diplomati i njohur, Dashnor Dervishi ka theksuar rolin e rëndësishëm të Skraparit në historinë e Shqipërisë, duke e përshkruar atë si një krahinë ku ka lulëzuar besimi bektashian dhe ka luajtur një rol kyç në rezistencën kundër pushtimit italian e gjerman. Dervishi theksoi se Skrapari ka qenë gjithmonë një simbol i unitetit dhe punës, duke mbështetur regjimet e ndryshme pas shpalljes së Pavarësisë.
Ndër të tjera, ai i inkurajoi të pranishmit të lexojnë librin e Qafokut për të zbuluar personalitetet dhe historinë e lavdishme të krahinës. “Nuk është rastësi që në këtë krahinë ka lulëzuar më shumë se kudo besimi bektashian dhe teqetë, të cilat ngjasojnë më shumë si një safirane për udhëtarët sesa si institucione kulti të ndërtuat nga banorët e zonës. Të gjitha këto bën që Skrapari të rikthehej në një nga krahinat ku u përqendrua rezistenca kundër pushteti italian e gjerman, jo vetëm në krijimin e çetave para-partizane, por dhe në një nga krahinat e sigurta për shtabin e luftës.
Kjo linjë vazhdoi deri në përfundim të luftës së ftohtë, ku Skrapari mbeti baza më e rëndësishme për sigurinë kombëtare, në ndërtimin e një strukture të sigurt që krahasohej me ato të vendeve më të fuqishme të botës. Si një popull punëtor e solidar, ai ka dhe një shpirt shtet formues ku të gjitha regjimet pas shpalljes së Pavarësisë, kanë gjetur te populli i Skraparit mbështetje për qeverisjen e tyre dhe reformat që kanë ndërmarrë.
Komunizmi në Skrapar ishte më i butë se në çdo rreth tjetër, pavarësisht se në vitin 1992 donin ta rrethonin me tela me gjemba. Më kujtohet një histori e pas viteve ‘90, përfaqësuesi i një partie të re opozitare gjatë një vizite në fshatin e nënës sime, tha që demokracia i bëri fshatarët me tokë, ndër të tjera kryeplaku i fshatit i tha që tokat e tyre as shtoheshin as pakësoheshin me ndryshimet e partive politike, por ato here i punon të bashkuar e herë të ndarë.
Gjatë gjithë jetës sime lidhja me Skraparin ka qenë dhe mbetet diçka e pashpjegueshme, është një nyje që është ushqyer në mënyrë të natyrshme nga familja, prindërit të dy më origjinë nga Skrapari. E njëjta gjë ka ndodhur me fëmijët e nipërit e mbesat e mia.
Nga fëmijëria imë nuk më hiqet nga kujtesa pushimet verore me gjyshen, dalja për herë të parë për të kullotur bagëtitë. Në shtëpinë tonë flitej gjithmonë për Skraparin, për malet, për luftën, për rakinë dhe dollinë. Si djalë i vetëm i një fshatari që doli partizan dhe e mbylli si oficer i ushtrisë shqiptare, nuk kam pasur ndonjë mik të madh që të më ndihmonte përveç faktit që isha me origjinë nga Skrapari, që në atë kohë shërbente më shumë si një certifikatë garancie dhe besimi.
Por, ka dy momente të rëndësishme që përcaktuan rrugëtimin tim. Qëllimi i Kahreman Ylli si rektori ne vitin ‘67 për të zgjedhur degën e fizikës speciale dhe kronika e Xhevahir Spahiut në kantierin e ndërtimit të hekurudhës Librazhd-Përrenjas. Shërbimi i gjatë në fushën e diplomacisë ka bërë që të jem larg nga jeta e krahinës bujqësore të Skraparit, por arsyet që përmenda më sipër kanë bërë që shërbimi në përfaqësitë tona jashtë vendit ka kemi si një mision, përkushtim dhe besnikëri ndaj shtetit dhe interesave të vendit në të gjitha qeveritë e kohës, një detyre për të kontribuuar në zhvillimin demokratik, pluralist.
Në librin e tij 100 personalitete të Skraparit, Roland Qafoku ka bërë një vepër të çmuar, me punën e tij të jashtëzakonshme dhe voluminoze, duke treguar historinë e Skraparit. Çdo periudhë historike ka personalitetet të kohës, ashtu si pas viteve ’90 edhe me parë, nga Skrapari kanë dalë figura të shquara që vlerëson edhe sot.
Në këtë libër, Roland Qafoku na surprizon me shumë figura të reja, që i përkasin jo vetëm periudhës të Rilindjes Kombëtare, por deri në Mesjetë. Roland Qafoku ka vënë në pah me shumicë figura të larta pas rrëzimit të Komunizmit. Pas vitit ’90, nga Skrapari kanë dalë figura të larta si ministra, biznesmenë, gazetarë, e pjesëtare të shtabeve akademike.
Nëse doni të jeni të bashkuar dhe të ndiheni sërish krenar, lexoni librin e Roland Qafokut që të gjeni rrugën”, tha Dashnor Dervishi.