Ministria e Financave ka publikuar për konsultim projektvendimin për rivlerësimin e pronave, i cili parashikon një tatim 5% mbi diferencën e vlerës së pasurive të paluajtshme, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me proceset e mëparshme ku tatimi varionte nga 1% deri në 3%.
Procesi i ri parashikohet të nisë më 1 janar dhe të zgjasë deri më 30 shtator 2026, duke u dhënë mundësi qytetarëve dhe bizneseve të rivlerësojnë pronat sipas çmimeve të tregut. Nisma synon të rrisë transparencën në tregun imobiliar, të formalizojë pasuritë dhe të sigurojë të ardhura shtesë për buxhetin e shtetit, pa ndryshuar normat tatimore të tjera.
Ndryshe nga skemat e kaluara, rivlerësimi do të përfshijë edhe pasuritë në proces regjistrimi apo legalizimi. Për subjektet juridike, vlera do të përcaktohet nga ekspertë të licencuar.
Nëse miratohet, ky do të jetë procesi i pestë i rivlerësimit brenda 13 viteve. I fundit u zhvillua nga 2020 deri në gusht 2022, ku përfituan 110 mijë familje dhe u rivlerësuan 168.200 pasuri, duke gjeneruar 12.7 miliardë lekë për buxhetin e shtetit.
Udhëzimet për zbatimin konkret të këtij procesi do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe një udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Kadastrës.