“Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin Luarasi po përjeton një zhvillim dhe shtrirje dimensionale”, kështu u shpreh profesori Sherif Bundo, i ftuar në episodin e radhës të podcastit “Welcome to Luarasi” me Denisa Kele.
Dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin Luarasi foli për transformimin e thellë që ka pësuar fakulteti gjatë vitit akademik 2025-2026, duke e cilësuar atë si një periudhë me ndryshime të rëndësishme në programet e studimit, stafin akademik dhe rritjen e numrit të studentëve.
Sipas Bundos, vetëm gjatë këtij viti akademik, Fakulteti i Ekonomisë ka rekrutuar afro 2.5 deri në 3 herë më shumë studentë në vitin e parë të programeve bachelor në gjuhën shqipe.
“Kjo është një arritje e madhe”, tha ai, ndërsa shtoi se një tjetër hap i rëndësishëm ishte hapja për herë të parë e dy programeve të studimit në bashkëpunim me London School of Economics, në fushat Financë dhe Administrim Biznesi.
Profesori theksoi gjithashtu se Fakulteti i Ekonomisë në Luarasi është zgjedhur si qendër ekselence në Ballkan, ndërsa vuri në dukje edhe një tjetër zhvillim historik për universitetin: hapjen e programit të parë të doktoraturës.
“Për herë të parë në Luarasi kemi hapur një program studimesh të ciklit të tretë, doktoraturë, për potencialet e zhvillimit ekonomik kombëtar”, deklaroi Bundo.
Ai shpjegoi se ky program është konceptuar ndryshe nga programet tradicionale të doktoraturës në Shqipëri, duke bashkuar tre departamentet e fakultetit në një drejtim të përbashkët kërkimi shkencor.
“Vendi ynë ka nevojë që kërkimi shkencor të orientohet drejt ideve që rrisin ritmet e zhvillimit ekonomik kombëtar dhe integrojnë zonat ende të paintegruara në ekonominë shqiptare”, u shpreh dekani.
Një tjetër fokus i rëndësishëm, sipas Bundos, ka qenë rishikimi i kurrikulave.
“Kishte një periudhë të gjatë që kurrikulat nuk ishin përshtatur me zhvillimet e tregut dhe progresin në ekonomi. Konservatorizmi në kurrikula është ngërç”, tha ai, duke shtuar se Fakulteti i Ekonomisë ka ndërmarrë reforma për të modernizuar programet dhe për t’i përshtatur me standardet europiane.
Dekani bëri të ditur gjithashtu se fakulteti ka aplikuar për projekte studimore të financuara nga qeveria shqiptare dhe ndodhet në proces riakreditimi për disa programe.
“Ky është një intensitet i lartë i angazhimit të stafit”, tha ai.
Bundo theksoi se partneriteti me London School of Economics ka sjellë një frymë të re në universitet dhe ka reformuar të gjithë programet e Fakultetit të Ekonomisë.
“Na kanë vënë në një pozitë më kërkuese. Para një viti shkonim në shkolla të mesme dhe u thoshim maturantëve se do të hapnim programe të reja me LSE, ndërsa sot ato programe janë realitet”, përfundoi ai.


