Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në prezantimin e raportit të tanzicionit të BERZH-it mbi riformulimin e politikave industriale në një kontekst global të ndryshuar nga sfidat dhe mundësitë e reja.
“BERZH-i nxjerr në pah gjendjen gjithnjë e më komplekse dhe ringjalljen strategjike të politikave industriale, si mjet për përballimin e ndryshimeve strukturore në ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim, në shekullin XXI”, u shpreh Guverantori Sejko.
Ai u shpreh se këto politika nuk janë thjesht një mjet për mbështetjen e industrive ekzistuese, por theksoi se duhen parë si një levë për të krijuar ekonomi të diversifikuara dhe inovative.
“Shumë ekonomi — përfshirë edhe tonën — po përballen sot me rënie demografike, ndryshime në tregun e punës dhe disbalanca sektoriale. Në këtë kontekst, debati mbi politikat industriale ka kaluar nga diskutimi, në strategji të qarta”, deklaroi Guvernatori i BSH-së.
Sejko theksoi se duhet të investohet jo vetëm në sektorët e ekonomisë, por edhe te njeriu.
“Janë qeliza bazë e fuqisë punëtore, si dhe te institucionet dhe infrastruktura që do të definojnë Shqipërinë e së nesërmes, në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian, si një hapësirë mundësish për një transformim të pandërprerë”, u shpreh ai.
Deklarata e plotë:
Është kënaqësi e veçantë të jem sot mes jush për të mikpritur prezantimin e Raportit të Tranzicionit të BERZH për vitin 2024.
Ky raport ofron një analizë të thelluar të një problemi tepër dinamik të ditëve të sotme: riformulimin e politikave industriale në një kontekst global të ndryshuar nga sfida dhe mundësi të reja. Duke e vendosur në temën qendrore të Raportit të këtij viti, BERZH-i nxjerr në pah gjendjen gjithnjë e më komplekse dhe ringjalljen strategjike të politikave industriale, si mjet për përballimin e ndryshimeve strukturore në ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim, në shekullin XXI.
Sot, këto politika nuk janë thjesht një mjet për mbështetjen e industrive ekzistuese, por duhen parë si një levë për të krijuar ekonomi të diversifikuara dhe inovative. Për më shumë se dy dekada, në Shqipëri dhe në rajon, i kemi dhënë përparësi reformave strukturore që ndërtojnë institucione të forta, përmirësojnë klimën e biznesit dhe krijojnë një ekonomi të hapur dhe konkurruese. Këto reforma kanë kontribuuar në një rritje ekonomike mesatare prej 3.5-4% në vit gjatë pesë viteve të fundit, ulje të papunësisë në 11.3% në 2024 dhe një rritje të konsumit privat me 7%. Këto reforma kanë qenë dhe mbeten thelbësore, por nuk janë më të mjaftueshme.
Sot përballemi me një realitet global krejtësisht të ndryshëm:
- tensionet gjeopolitike kanë shkaktuar një rritje prej 30% në koston e zinxhirëve globalë të furnizimit që nga 2020;
- fragmentimi tregtar ka reduktuar fluksin e tregtisë globale me 5.4% në vitin 2023, sipas OBT-së;
- politikat e riindustrializimit në ekonomi të avancuara (p.sh. “Inflation Reduction Act” në SHBA dhe “Green Deal” i BE-së) po kanalizojnë mbi 80% të investimeve globale drejt teknologjive të pastra.
Shumë ekonomi — përfshirë edhe tonën — po përballen sot me rënie demografike, ndryshime në tregun e punës dhe disbalanca sektoriale. Në këtë kontekst, debati mbi politikat industriale ka kaluar nga diskutimi, në strategji të qarta, të bazuara në të dhëna.
Çfarë do të thotë kjo në praktikë?
Së pari, duhet të kuptojmë se politikat industriale sot nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e industrive të vjetra, por me nxitjen e sektorëve të së ardhmes— atyre që mund të rriten, të shkallëzohen dhe të krijojnë vlerë të qëndrueshme. Për shumë vende të BERZH-it, përfshirë Shqipërinë, rruga drejt rritjes përmes eksporteve tradicionale industriale është bërë më e vështirë. Në vend të saj, po shfaqet një mundësi e re: eksporti i shërbimeve të digjitalizuara dhe të tregtueshme ndërkombëtarisht.
Këto “shërbime të inovacionit global” — si teknologjia e informacionit, dizajni, logjistika dhe analiza e të dhënave — janë në zemër të rritjes së produktivitetit dhe vlerës së shtuar, por për t’i zhvilluar, nevojiten themele të forta: investime në arsim, fuqi punëtore e kualifikuar, infrastrukturë digjitale moderne dhe kapacitete të larta institucionale. Disa ekonomi të Evropës Qendrore dhe Lindore tashmë janë bërë eksportuese lider në fushën e shërbimeve kompjuterike. Edhe Shqipëria ka potencialin ta ndjekë këtë rrugë.
Së dyti, politikat që ndërmarrim duhet të jenë të harmonizuara me procesin e integrimit evropian. Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, me 70% të tregtisë të orientuar drejt BE-së, Shqipëria ka më shumë për të fituar, duke ecur drejt konvergjencës me Bashkimin Evropian. Përveç kësaj, anëtarësimi në SEPA na afron me tregjet evropiane dhe redukton kostot e transaksioneve ndërkombëtare me 30%.
Së treti, duhet të garantojmë përfshirje dhe qëndrueshmëri. Politikat industriale nuk duhet të fokusohen vetëm te sektorët ku kemi potencial për të fituar në tregjet globale, por edhe te ata që janë jetikë për punësimin dhe kohezionin social brenda vendit. Ato duhet të mbështeten nga politika vendore të përshtatura për kontekste specifike — si zonat ekonomike të veçanta — duhet të dizenjohen me kujdes, duke theksuar karakteristikat specifike lokale e rajonale.
Së katërti, ndihma shtetërore duhet të fokusohet te firmat me potencial të lartë. Të dhënat tregojnë se firmat e reja dhe dinamike janë nxitëset kryesore të punësimit dhe inovacionit. Politika të orientuara për stimulimin e tyre, të tilla: si garancitë e kredive, huatë me interesa të subvencionuara apo fondet e kapitalit sipërmarrës të mbështetura nga shteti, mund të sjellin një ndryshim të madh.
Në këtë debat për politikën industriale dhe drejtimet e zhvillimit, roli i bankës qendrore, ndonëse jo drejtpërdrejt, është i veçantë dhe i pazëvendësueshëm.
Banka qendrore nuk harton politika industriale, por kontribuon në to si garantuese e stabilitetit makroekonomik dhe financiar – kusht themelor për çdo zhvillim të qëndrueshëm. Sot, mund të themi se ekonomia shqiptare po vazhdon të rritet – PBB-ja u rrit me 4% në vitin 2024, inflacioni mbetet në 2%, kreditimi privat është rritur me 16.7%, dhe raporti i kredive me probleme ka rënë në nivelin historik 4%. Kjo pasqyron një sistem financiar të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe të aftë të mbështesë sektorin real.
Stabiliteti i çmimeve, sistemet financiare funksionale, një sektor bankar dhe një sistem pagesash modern që i shërben ekonomisë reale — janë parakushte të rëndësishme për investim afatgjatë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Përtej kësaj, Banka e Shqipërisë po jep një kontribut të rëndësishëm edhe në përmirësimin e përfshirjes në financë, përmes inovacionit të sistemeve të pagesave dhe anëtarësimit në SEPA, institucionalizimit të llogarisë bazike, mbikëqyrjes efektive, edukimit financiar dhe promovimit të inovacionit financiar. Këto ndërhyrje hapin tregje e mundësi të reja, ndaj Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të japë kontributin e saj në të gjitha këto drejtime, me përkushtim dhe profesionalizëm.
Në përfundim, ju ftoj të jemi ambiciozë, por të kujdesshëm; të hartojmë politika industriale të zgjuara dhe gjithëpërfshirëse, që përputhen me aspiratat tona afatgjata. Mbi të gjitha, duhet të investojmë jo vetëm në sektorët e ekonomisë, por edhe te njeriu, si qeliza bazë e fuqisë punëtore, si dhe te institucionet dhe infrastruktura që do të definojnë Shqipërinë e së nesërmes, në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian, si një hapësirë mundësish për një transformim të pandërprerë.