Qytetarët e Lezhës, pas datës 20 të çdo muaji detyrohen t’i drejtohen laboratorëve privatë për kryerjen e analizave mjekësore.
Mësohet se pas kësaj date Spitali Rajonal i Lezhës nuk e ofron më këtë shërbim, për të cilin kërkesa është shumë e madhe, për shkak të mungesës së fondit të mjaftueshëm për shërbimin i cili është dhënë me koncesion.
Burime bëjnë me dije se në këto kushte, qytetarët duhet të presin 2 deri në 3 muaj për të kryer analizat mjekësore ose t’u drejtohen laboratorëve privatë.
Ata e konsiderojnë të papranueshme këtë situatë, e cila është kthyer në shqetësim për ta, pasi nuk kanë mundësi financiare që ta kryejnë analiza në laboratorë privat.
“Këtu po nuk pate shoqëri duhet të presësh 2-3 muaj për analizat ose t’i bësh me lekë në privat. Unë jam e sëmurë me veshka, por më problem është për ata me diabet, që kryejnë analiza 2 herë në ditë”, është shprehur një prej pacientëve.
Ndërkohë një tjerët ka thënë se: “Të bësh një rezonancë këtu duhet të presësh 3-4 muaj ose ta bësh në privat me 15 mijë lekë. Shteti duhet të mendojë për njerëzit”.
“Shumë vështirë është, kudo duhen vetëm para, para, para! Na kanë thënë me të presim se analizat vonojnë, doktorët janë të mire, por s’kanë mundësi as ata se është popullsi e madhe”, shprehet një tjetër pacient.
Në lidhje me këtë çështje, Drejtoria e Spitalit Rajonal te Lezhës bën të ditur se fondi vjetor i përcaktuar për kryerjen e analizave nga koncesionari është 650 mijë euro, i ndarë në 55 mijë euro për çdo muaj, por kërkesat për këtë shërbim janë më të larta.
Po sipas drejtorisë së spitalit, pezullimi i analizave nuk cenon shërbimin e urgjencës, repart në të cilin do të vijojnë të kryhen rreth 168 lloje analizash.


