Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot priti ambasadorin e ri të Bullgarisë, Hristo Kraevski, dhe shprehu nevojën urgjente për heqjen e masave të padrejta që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës.
Gjatë ceremonisë së pranimit të letrave kredenciale, Presidentja Osmani e uroi ambasadorin Kraevski për detyrën e tij të re. Ajo shprehu mirënjohjen e saj për mbështetje të vazhdueshme që Bullgaria i ofron Kosovës, veçanërisht në forcimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe në proceset e integrimit euroatlantik të vendit.
Osmani theksoi se Bullgaria ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetje të Kosovës duke e ndihmuar atë në përpjekjet për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare. Ajo inkurajoi vazhdimin e avokimit bullgar për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën globale.
“Gjatë bisedimeve, Presidentja Osmani theksoi se masat e BE-së kanë bërë dëm të konsiderueshëm për qytetarët e Kosovës, të cilët po vuajnë pasojat e këtyre sanksioneve të padrejta. Ajo kërkoi heqjen e menjëhershme të këtyre masave për të lehtësuar jetën e qytetarëve”, citohet në një deklaratë pas takimit.
Presidentja Osmani gjithashtu vlerësoi angazhimin e Bullgarisë për sigurinë rajonale dhe globale. Ajo përmendi bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës dhe Bullgarisë, sidomos në fushën e sigurisë, ku Presidenti bullgar, Rumen Radev, ka shprehur kërkesën për mbështetje të vazhdueshme të Kosovës.