Kryetari i Komunës së Gazi Babës së Shkupit, Boban Stefkovski, mëngjesin e sotëm e ka vizituar shkollën fillore “Kiril dhe Metodij” në vendbanimin Stajkovci, ku mësimi ka filluar me intonimin e himnit shtetëror të Maqedonisë së Veriut.
Kryetari Stefkovski këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi në profilin e tij në rrjetet sociale.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski javën e kaluar i bëri thirrje ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri që të obligojë të gjitha shkollat që çdo të hëne të intonojnë himnin e Maqedonisë së Veriut.
“Unë i bëj thirrje ministrit të Arsimit që kjo të bëhet politikë shtetërore dhe njëkohësisht politikë të cilën të gjitha komunat, pa dallim se nga cila parti politike vjen kryetari I saj ta intonojnë himnin e Maqedonisë. Sepse, kemi shtete si përshembull partneri ynë strategjik, SHBA-të që ka shumë nacionalitete por të gjithë qëndrojnë drejtë dhe qetë derisa intonohet himni i Amerikës dhe të gjithë janë krenarë derisa e dëgjojnë himnin e Amerikës dhe të gjithë e respektojnë flamurin e Amerikës, gjegjësisht flamurin kombëtar. Ai që nuk respekton atributet kombëtare të vendit ku jeton atëherë vërtet kemi një problem serioz në sistem”, tha Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE. Me intonimin e himnit ka nisur edhe komuna e Aerodromit, që po ashtu udhëhiqet nga një kuadër i VMRO-DPMNE-së.