Policia e Tiranës ka zbardhur të gjithë dinamikën e ngjarjes së rëndë, atë të vrasjes së 81 vjeçarit Xhemal Meta.
Blutë e kryeqytetit, në një deklaratë për mediat, sqaruan se Isuf Hasa, autori i vrasjes se 81-vjecarit, goditi fillimisht të moshuarin me çekiç në kokë, duke i shkaktuar atij vdekjen.
Më pas, sipas bluve, Hasa i vodhi paratë e xhepit të viktimës, e më pas u largua.
Kujtojmë se viktima u gjet i pajetë nga një komshi i tij mëngjesin e 13 Janarit. Fqinji e kishte gjetur të ndjerin të pajetë pranë disa gurëve në oborrin e banesës së tij.
Fëmijët e të ndjerit jetojnë në Tiranë dhe në polici ata kanë deklaruar se 81-vjeçari nuk ka pasur konflikte.
Gjithashtu kanë dëshmuar se nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm të kohëve të fundit.
Njoftimi i policisë
Në vijim të informacionit të dhënë me datë 13.01.2025, i cili bën fjalën për gjetjen pa shenja jete të shtetasit Xh.M, në oborrin e banesës së tij, në fshatin “Shëngjin i Vogël”, ju bëjmë me dije se:
Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake si dhe ekzaminimit mjeko-ligjor ka rezultuar se shtetasi Xh.M, ka dëmtime në pjesën e pasme të kokës, të dyshuara të shkaktuara nga goditje me sende të forta.
Paraprakisht, në lidhje me këtë ngjarje nga ana e DVP Tiranë, janë referuar materialet në Prokurori, për veprën penale “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i kodit penal.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor dhe për përcaktimin rrethanave konkrete të ngjarjes dhe shkaqeve të humbjes se jetës së shtetasit Xh.M.