Policia ka goditur dy raste të trafikimit të drogës përmes postës nga SHBA në Shqipëri, duke arrestuar një person dhe shpallur në kërkim një tjetër.
Në kuadër të operacionit “Dërgesa 1”, policia ka arrestuar shtetasin R. H., 32 vjeç, në Elbasan, pasi mori dy pako me rreth 4 kg kanabis me përqindje të lartë THC në një degë postare.
Në kuadër të operacionit “Dërgesa 2”, u identifikua shtetasi F. I., 21 vjeç, i cili dyshohet se do të merrte një pako me rreth 3.7 kg kanabis me përqindje të lartë THC në një degë postare në Vorë. Ky shtetas është shpallur në kërkim.
Gjithashtu, gjatë operacioneve janë sekuestruar 3 pako me gjithsej 7.7 kg kanabis me përqindje të lartë THC. Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve të trafikut të drogës.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Vijojnë intensivisht hetime dhe veprime operacionale komplekse, kundër rasteve të trafikimit nga ShBA, të Cannabisit me përqindje të lartë THC, me qëllim shitjen në Tiranë.
Në 24 orë, goditen 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale.
Sekuestrohen 3 pako me 7.7 kg Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC.
Arrestohet marrësi i njërës pako, në Elbasan.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim shtetasi që dyshohet se do të merrte pakon tjetër, në Vorë.
Shkon 5 numri i rasteve të trafikimit të Cannabisit, nga ShBA, të goditura gjatë kësaj jave, nga Policia e Tiranës. Në total u sekuestruan rreth 10 kg Cannabis me përqindje të lartë THC dhe u identifikuan 8 shtetas të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, Komisariatin e Policisë Rinas dhe me Degën Qendra Tranzite të Postës Shqiptare, zhvilluan së fundi:
-operacionin “Dërgesa 1”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi R. H., 32 vjeç, duke marrë në një degë postare në Elbasan, 2 pako me rreth 4 kg Cannabis, me përqindje të lartë THC;
-operacionin “Dërgesa 2”, gjatë të cilit u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. I., 21 vjeç, pasi dyshohet se do të merrte në një degë postare në Vorë, një pako me rreth 3.7 kg Cannabis, me përqindje të lartë THC.
Punohet për kapjen e 21-vjeçarit, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që kanë porositur lëndën narkotike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.