Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona lidhur me vrasjen e një gruaje që ka ndodhur të mërkurën, më 29 nëntor, në Prishtinë. Mësohet se njëri nga të arrestuarit është Naim Murseli – bashkëshorti i viktimës Liridone Ademaj-Murseli.
Në njoftimin e Policisë thuhet se pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e vrasjes.
“Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, Policia në njoftimin e saj ka konfirmuar se me datën 29.11.2023, rreth orës 20:20, ka pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.