Situata e zjarrit në bashkinë Poliçan ka dalë jashtë kontrrollit në Njësinë Administrative Tërpan. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe po vijon shtrirjen e tij.
Zjarri ndodhet shumë pranë banesave dhe është duke rrezikuar djegien e fshatrave përreth. Disa orë më parë, bashkia e Poliçanit evakuoi banorët e fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe banorët e zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur të Ballollit.
Në zonën e zjarrit kanë shkuar forca të shumta zjarrfikësish, forca ushtarake dhe forca policie, ndërkohë që në ndihmë të tyre, për fikjen e zjarrit nga ajri, ka shkuar edhe një helikopter i Bazës Ajrore Kuçovë.
Terreni ku ka rënë zjarri është terren malor dhe tejet i vështirë, duke e bërë të pamundur futjen e mjeteve zjarrfikëse dhe mjeteve ushtarake pasi nuk ka rrugë. Kjo ka bërë që ndërhyrja në zonë të kryhet me mjete rrethanore dhe pompa uji shpine. Edhe pse po luftohet prej disa orësh me flakët, situata është shumë e vështirë.