Një 65-vjeçare është proceduar penalisht nga autoritetet kufitare pasi u kap me një shumë të konsiderueshme parash të padeklaruara në pikën kufitare të Kakavijës.
Gjatë një kontrolli rutinë në dalje të territorit shqiptar, shërbimet e Policisë Kufitare zbuluan në çantën e shtetases D.K., banuese në Greqi, një shumë prej 25 000 eurosh, të cilën ajo nuk e kishte deklaruar, siç e kërkon ligji për vlerat monetare që tejkalojnë kufirin e lejuar në dalje ose hyrje nga vendi.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Policia referoi materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ku është regjistruar procedimi penal për veprën “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Shuma prej 25 mijë eurosh është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të verifikuar burimin e të hollave.